Martiret e Kobanit, copëza historie të vajzave që luftuan kundër ISIS

31/01/2015 00:00

“Ne jemi shumë krenarë për gratë që dhanë jetën duke mbrojtur Kobanin”, këto ishin fjalët e përfaqësuesve kurd, pas marrjes nën kontroll të qytetit strategjik në veri të Sirisë.

Në mesin e ushtrisë kurde luftojnë një numër i konsiderueshëm vajzash, ku vetëm në betejat e fundit, 4 prej tyre vdiqën tragjikisht.

Shiren, vetëm 19 vjeç, braktisi studimet për letërsi angleze në Universitetin e Damaskut, për t’ju bashkuar me vullnetin e saj luftës në Lindjen e Mesme, aty ku fatkeqësisht humbi edhe jetën. Ajo kishte pasione si gjithë bashkëmoshataret e saj, pëlqente historinë, ishte e dhënë pas sportit dhe veçanërisht tifoze e ekipit të Barcelonës. Gjatë funeralit të saj babai ishte shprehur se gjithmonë kishte menduar se mund të quhej si i ati i dëshmorëve, por asnjëherë nuk kishte menduar se vajza e tij do të behej martire.

Ndërsa, Hamira një tjetër vajzë që humbi jetën në luftën kundër ISIS, mendonte se rezistenca e  grave në Koban ishte armë e nevojshme për luftën atje.

Historia e Berivan ka prekur shumë njerëz. 22-vjeçarja i ishte shprehur nënës së saj se nuk mund të flinte teksa shikonte terrorizmin e ISIS kundër pakicës së komunitetit Yazidi në Sinjar, ndaj kishte vendosur të bashkohej me luftëtarët e Kobanit. Pavarësisht nga rrethanat e vështira te komunitetit që i përkiste, Berivan e vazhdoi kolegjin e mjekësisë. Ajo ishte vetëm disa ditë para provimit të saj përfundimtar kur shpërtheu revolucioni në Siri. Vajza udhëtoi drejt Aleppo-s. Vetëm disa muaj më vonë familja e saj mori mesazhin “Më vjen keq t’ju lajmërojmë, por Berivan humbi jetën nga shpërthimi me bombe i një makine”.

Me po të njëjtin fat ishte edhe 19-vjeçarja Ruhan. Ajo ishte e etur për të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet kombëtare të organizuara nga lëvizjet e ndryshme politike në Koban. Ajo, si fëmija më i vogël i një familjeje me 9 persona, si edhe me burime të kufizuara financiare, vendosi të bashkohej me fushatën për mbrojtjen e grave në Koban. Lajmin e trishtuar te humbjes së vajzës ata e morën nga transmetimet televizive.

Koabani është çliruar, por lufta vazhdon…

Top Channel