Pas ngjarjes së Spanjës ku një pilot i Forcave të Armatosura të Shqipërisë u përfshi në trafik droge, në Shqipëri kanë lindur shumë pyetje mbi ushtrinë, por edhe për rastin në fjalë.

I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, Aleko Mihali, sekretar për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median në Aleancën Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, foli mbi mënyrat e marrjes së lejes nga ushtarakët, kontrollin ndaj tyre gjatë kësaj periudhe, si dhe për rekrutimin në ushtri.

Pandi Gjata: Ngjarja e Spanjës ngriti shumë pikëpyetje, të cilat ngrihen edhe për ata që janë pjesë e strukturave të FA. Një prej pyetjeve që ne nuk po i japim dot përgjigje është: Si dalin ushtarakët jashtë vendin pa leje? Si është procedura e dhënies së lejes?

Aleko Mihali: Mbi bazën e një planifikimi mujor, të bërë nga komanda e repartit për të gjithë vitin, shtrihen edhe lejet e ushtarakëve. Kjo praktikë ndiqet për lejet e zakonshme që bëhen brenda vendit, ndërsa për të dalë jashtë vendit për shumë arsye duhet patjetër të marrësh leje nga komandanti i njësisë nga varesh.

Pandi Gjata:  Si mund të parandalohet largimi jashtë vendit pa leje?

Aleko Mihali: Kriteret sesi jepen lejet dhe për të dalë jashtë shtetit janë të vendosura edhe në statusin e ushtarakut, por edhe në rregulloren e jetës së brendshme dhe rregulloren e disiplinës.

Pandi Gjata:  Pra, janë të shkruara shumë mirë në letër?

Aleko Mihali: Po, por këtu ka neglizhenca nga ushtarakët, të cilët nuk janë të formuar ashtu siç duhet.

Pandi Gjata: Cilat janë strukturat që përfshihen në kontrollin e dhënieve të lejeve dhe monitorimin e ushtarakëve gjatë kësaj periudhe?

Aleko Mihali: Drejtoria e Zbulimit që ndodhet në Ministrinë e Mbrojtjes është një nga strukturat dhe SHIU gjithashtu.

Pandi Gjata: A i kanë mundësitë për t’i kontrolluar të gjithë ushtarakët?

Aleko Mihali: Këtu ekziston një boshllëk, pasi një ushtarak i papërgjegjshëm mund të marrë një leje të zakonshme dhe mos të thotë se ku gjendet. Çdo lëvizje jashtë territorit duhet të shoqërohet me njoftimin ndaj eprorit. Këtu bëhet fjalë për abuzim, i cili është i pa mbuluar nga Ministria e Mbrojtjes sepse ka gjëra të reja që FA nuk i kanë pasur.

Pandi Gjata: Çfarë janë këto gjëra të reja dhe ku është shtegu për abuzim?

Aleko Mihali:  Gjërat e reja kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve, moskontrolli në aerodrome, në dogana dhe porte. Kjo duhet rregulluar.

Pandi Gjata: Pra mendoni se është e nevojshme një bazë të dhënash në pikat e kalimit?

Aleko Mihali: Patjetër. Ministria Brendshme ose policia ushtarake duhet të komunikojë me pikat e kalimit jashtë vendit.

Pandi Gjata: Kur kriteret e lejes janë të shkruara, por nuk zbatohen, a mendoni se duhet të kemi edhe reagimi të një niveli më të lartë, si Presidenti i Republikës, për të zgjidhur një herë e mirë këtë çështje?

Aleko Mihali: Me këtë rast që ndodhi, Ministria e Mbrojtjes duhet të nxjerrë konkluzione dhe duhet të bëjë analiza të thella për shkaqet se pse ndodhi ky rast dhe si mund të parandalohen raste të ngjashme. Me reformat që janë bërë në Forcat e Armatosura, mund të them që dyert e FA janë të hapura, pasi problemi nis që te rekrutimi në ushtri. Personat që futet në Forcat e Armatosura duhet të kalojnë patjetër nëpërmjet një filtri.

Pandi Gjata: Kemi një rast nga i cili na kanë lindur shumë pyetje dhe po diskutojmë për të, por potencialisht sa mendoni se janë të prirur individët që janë pjesë e FA për t’u bërë pjesë e trafiqeve të ndryshme? E bëj këtë pyetje, pasi shumë prej tyre kanë aftësi dhe njohuri që nuk mund t’i ketë një individ i thjesht?

Aleko Mihali: Nëse mungesa e një filtri në rekrutimin e personave do të vazhdojë, atëherë do të ketë edhe rekrutime të qytetarëve të papërgjegjshëm dhe trafikantëve që do t’i sjellin dëme Forcave të Armatosura atëherë kur ata do të duan ta bëjnë atë.

Pandi Gjata:  A është i zgjidhur statusi i ushtarakëve? A janë ata njerëz që mund të jetojnë normalisht? Nëse kjo histori është e zgjidhur a mund të shmanget joshja nga trafiqe të tilla?

Aleko Mihali: FA janë duke u strukturuar, por gjatë ristrukturimit shumë elementë që e mbrojnë ushtarakun nga mospërfshirja në këto trafiqe është totalisht e hapur sepse ushtarakët janë të pambrojtur. Ushtarakët banojnë në pallate bashkë me njerëz të tjerë të panjohur që mund të jenë trafikantë dhe mund ta shfrytëzojnë si në rastin në fjalë. Gjithashtu, pasi ushtarakët dalin në lirim për arsye të ndryshme, kujdesi ndaj tyre duhet të vazhdojë.

Top Channel