“Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të parandaluar daljen e
Greqisë nga Eurozona, por Athina duhet t’u përmbahet zotimeve të
mëhershme”.

Këtë qendrim të dhënë në emër të Bashkimit Europian dhe huadhënësve të huaj e ka ripërsëritur edhe Komisioneri për Çështjet e Ekonomisë dhe Financave, Peirre Moscovici në një intervistë dhënë për BBC.

“Besojmë se vendi i Greqisë është në Eurozonë. Monedha e përbashkët ka nevojë për Greqinë dhe Greqia ka nevojë dhe dëshiron të qendrojë në Eurozonë. Është tejet e rëndësishme për qendrueshmërinë dhe besueshmërinë e Euros që të mos ketë një dalje të Greqisë, ndaj ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet për të parandaluar këtë”, deklaroi Moscovici, ish-Ministër i Financave të Francës.

Për Komisionerin respektimi dhe mbajtja e zotimeve duhet të jetë reciproke. Europa, tha ai, respekton zgjedhjen dhe vullnetin e shprehur nga populli grek në votimin e 25 janarit që solli në pushtet radikalët e majtë të Syriza-s, por edhe qeveria e re greke duhet të marrë në konsideratë zotimet e bëra nga qeveria e mëparshme në Athinë.

Moscovici thotë se kryesore është adresimi i shqetësimeve në mënyrë të qetë dhe paqësore dhe se qeveria greke duhet të jetë e qartë në qendrimin e saj.

Deklarata e Komisionerit të Financave bëhet një ditë pasi Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis deklaroi nga Athina se nuk do të bashkëpunojë më me të ashtuquajturën “Trojka”, Bashkimin Europian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Europiane.

Top Channel