SHBA mund të dërgojë trupa në Irak

31/01/2015 00:00

Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, që do të lërë këtë detyrë së shpejti, deklaroi të premten se Shtetet e Bashkuara mund të ‘detyrohen’ të dërgojnë trupa joluftuese në Irak për t’u përballur me xhihadistët e ISIS-it.

Roli i këtyre trupave, thotë ai, do të jetë kryesisht në mbledhjen e informacionit dhe lokalizimin e objektivave për sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj që mund të kërkojë dërgimin e disa trupave. Për momentin nuk jemi në këtë fazë dhe se kur mund të mbërrijë kjo fazë unë nuk di ta them”, deklaroi ai.

Deklarata e Hagel përforcon atë të Shefit të Shtabit të ushtrisë amerikane, Gjeneral Martin Dempsey i cili deklaroi në Kongres vjeshtën e 2014-ës se mund të nevojitet që në të ardhmen trupat amerikane të ndërmarrin një rol më aktiv edhe në terren në Irak.

Këto trupa do t’i shtoheshin kontigjentit prej 4500 ushtarësh që SHBA ka akoma në Irak si pjesë e misionit të trajnimit dhe këshillimit për forcat irakiane të sigurisë.

Hagel dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Mbrojtjes në muajin nëntor dhe pret të zëvendësohet. Sipas mediave amerikane, arsyeja kryesore e dorëheqjes së tij ishte presioni dhe përplasjet e vazhdueshme me Shtëpinë e Bardhë për një sërë çështjes, që nga lufta në Siri e Irak, përballja me ISIS dhe deri tek lirimi i disa të burgosurve nga burgu famëkeq i Guantanamos.

Top Channel