Mjekët i thanë që nuk do lindte kurrë, 28-vjeçarja lind binjakë

31/01/2015 00:00

Një 28-vjeçare britanike u bë nënë e binjakëve, nëntë vite pasi mjekët i thanë se ajo nuk do të lindte kurrë pasi ‘ishte gjenetikisht mashkull”.

Në moshën 19-vjeçare, Hayley Haynes i thanë se kishte lindur me kromozomet XY, njohur si sindroma AIS, që gjenetikisht ishte një mashkull me organe femre, por pa një mitër dhe pa vezë.

Ajo thotë se ëndrra e saj më e madhe ishte që të bëhej nënë dhe ky lajm i kishte tronditur. Ajo ndau këtë me mikun e ngushtë, Sam që më vonë u bë edhe bashkëshorti saj.

“Kur më thanë që nuk kisha mitër isha aq e tronditur, ndjehesha e sëmurë. Frika ime më e madhe ishte se nuk do të kisha kurrë fëmijë të mi, sikur një pjesë e madhe e imja mungonte. Ndjesha si gjysmë-grua. Si mund t’ia shpjegoja një djali që isha gjenetikisht mashkull kur ta takoja?”, thotë ajo.

Por në 2007 lindi një shpresë. Gjatë një rikontrolli mjekët në një spital në Derbi ranë në gjurmët e një mitre të vogël, që u kishte shpëtuar skanimeve të mëhershme. Menjëherë pas kësaj Hayley iu nënshtrua kurave për rritjen e saj.

Pas 4 vitesh kurë, në 2011 mjekët i thanë se ajo ishte gati, por vetëm me fekondimin in-vitro (IFV) ku sërish mundësitë ishin 60 përqind që të mbetej shtatzënë.

“Isha në ankth. E dija që kishim vetëm një mundësi dhe nëse ajo do të dështonte do ta vuaja shumë”, rrëfen 28-vjeçarja britanike.

Pas kësaj Hayley udhëton drejt Qipros ku i nënshtrohet metodës. Pas disa ditësh mjekët i japin lajmin e mirë, jo vetëm për suksesin e metodës, por edhe se priste binjakë joidentikë.

“Për mua ishte e pabesueshme. Ishte si të merrja dy me çmimin e njërit”, thotë ajo.

Top Channel