Stuhia në Vlorë, mblidhet Shtabi i Emergjencave. Panariti shkon në Fier

31/01/2015 00:00

Reshjet e shumta të shiut të rëna në orët e mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës kanë krijuar probleme të mëdha në rrethin e Vlorës.

Reshjet kanë rritur ndjeshëm prurjet në Lumin e Vjosës, që rrezikon të dalë nga shtrati. Më problematike paraqitet situata në Urën e Mifolit ku rrezikohen katër banesa.

Për të vlerësuar situatën u mblodh paraditen e së shtunës Shtabi i Emergjencave Civile, ku parësore ishte shmangja e tragjedive.

Përveç përmbytjeve, reshjet e shumta dhe era e fortë e natës së premte shkaktoi edhe një sërë defektesh teknike në rrjetin elektrik e për pasojë disa zona mbeten pa energji për disa orë.

Situatë e rënduar në furnizimin me energji elektrike ishte edhe në rrethin e Lushnjes ku stuhia dëmtoi të 28 fidrat e furnizimit. Grupet e punës të OSHEE kanë riparuar 25 prej tyre duke rikthyer energjinë në pjesën më të madhe të rrethit dhe po vijon puna për riparimin edhe të 3 fidrave të tjerë.

Mungesa prej më shumë se 16 orësh e energjisë elktrike në stacionin e pompave në Darëzezë të Fierit është bë shkas që lumenjtë Seman dhe Vjosë të rrezikojnë përmbytjen. Për të vënë nën kontroll situatën alarmante ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka inspektouar stacionin e pompave.

Energjia elektrike në këtë hidrovor është rikthyer vetëm 30 minuta përpara mbërritjes së ministrit. Kjo ka bërë të mundur uljen e nivelit të ujit, i cili sipas banorëve shkoi shumë pranë pikës kritike.

“Mua nuk më duhet furnizimi me energji elektrike në kohë të thatë, por nevojitet energji edhe në kohë reshjesh, pasi rrezikohet përmbytja edhe e vetë hidrovorëve, përveç përmbytjeve që mund të shkaktohen në qytetin e Fierit”, – deklaroi Panariti.

Pasi ka inspektuar gjendjen ministri ka deklaruar se pritet të ketë përkeqësim të situatës në të gjithë vendin, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat për evakuimin e banorëve që do të përfshihen nga përmbytjet.

Edhe banorët e Fierit, që jetojnë pranë lumit Gjanica, janë paralajmëruar të jenë të kujdesshëm në rast të intensifikimit të reshjeve të shiut.

Top Channel