Spanjë, Podemos si Syriza, mban “Marshimin e ndryshimit”

31/01/2015 00:00

Nën shembullin e Syriza-s në Greqi në Spanjë po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje lëvizja radikale e majtë, “Podemos” të cilën sondazhet e fundit e ngrenë në rivalitetin e partive tradicionale spanjolle, asaj Socialiste dhe asaj Popullore.

Të shtunën kjo lëvizje thërriti manifestimin e parë publik në rrugët dhe sheshet e Madridit, të njëjtat rrugë dhe sheshe që u mbushën muaj më parë me protestues kundër masave shtrënguese të nisura fillimisht nga socialistët, e të vazhduara prej popullorëve në pushtet.

Mijëra spanjollë dolën në “Marshin e ndryshimit”, ku udhëheqësi i “Podemos”, që në shqip do të thotë “Mundemi”, Sergio Iglesias akuzoi pushtetarët e korruptuar se kanë zhytur Spanjën në krizën më të thellë në historinë moderne.

Ashtu si edhe Syriza në Greqi, me të cilën ka një aleancë të fortë, “Podemos” premton se nëse fiton zgjedhjet e përgjithshme, që do të mbahen këtë vit, do të ndërpresë masat shtrënguese dhe do të rishikojë marrëveshjet me huadhënësit ndërkombëtarë.

Lëvizja ka kundërshtarë si të majtët socialistë ashtu edhe popullorët e djathtë të Kryeministrit Mariano Rajoy. Ky i fundit paralajmëroi qytetarët që të mos ‘luajnë ruletë ruse’, ndërsa socialistët e cilësuan këtë lëvizje dhe udhëheqësin e saj si populistë.

“Podemos” u shfaq në skenën politike spanjolle në majin e vitit të kaluar, kur votohej për zgjedhjet në Parlamentin Europian. Që prej asaj kohe ka gjetur mbështetjen e të pakënaqurve në të majtë e në të djathtë, ndërkohë që disa sondazhe e nxjerrin edhe si fituese të zgjedhjeve, nëse ato do të mbaheshin në këtë moment.

Top Channel