Rënia e eksporteve shqiptare, ekspertët: Të varura nga çmimi i lëndëve të para, e rrezikuar edhe 2015-ta 

31/01/2015 00:00

Eksportet shqiptare shënuan vitin e kaluar rritjen më të ulët që nga
2010, për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet e
huaja.

Për Ilir Cikon, ky është një tregues i strukturës problematike të eksporteve dhe ekonomisë në tërësi.
 
“Kjo është një dobësi tradicionale e strukturës së eksporteve në vite, një diversifikim që le për të dëshiruar, një varësi ndaj kërkesës së tregjeve ndërkombëtare ndaj produkteve bazë siç janë mineralet apo nafta, që zenë një peshë të konsiderueshme në eksportet tona. Jemi të hapur ndaj këtyre tregjeve dhe patjetër do të vuajmë ose përfitojmë nga ecuria e tregjeve ndërkombëtare në të ardhmen”, tha Ciko.

Produktet energjetike si nafta dhe minerealet janë grupi më i madh i eksporteve shqiptare duke zënë 33.6 për qind të totalit. Në një raport të publikuar vetëm pak ditë më parë, Banka Botërore parashikon se çmimet e tyre do të mbeten në nivele të ulëta edhe për vitin 2015, çka mund t’i penalizojë sërish eksportet shqiptare.

“Eksportet e mallrave do të vazhdojnë një ecuri relativisht të dobët gjatë këtij viti, si për shkak të efekteve që ndikuan gjatë 2012, por edhe për shkak të efekteve të brendshme të ekonomisë shqiptare. Mos harrojmë që jemi një vit elektoral, që niveli i kërkesës është i ulët dhe të gjithë këta faktorë do të ndikojnë që ecuria e eksporteve gjatë këtij viti të jetë në nivele relativisht të ulëta”, tha Ciko.

Por sipas Cikos, Shqipëria mund t’i zbusë pasojat e kësaj konjukture të pafavorshme në tregjet e mallrave, përmes eksportit të shërbimeve, duke përfituar nga zhvillimet politike në rajon, e veçanërisht në Greqi.

“Qeveria greke ka deklaruar ditët e fundit për masa shtrënguese ndaj operatorëve turistikë në vend, në një mënyrë apo një tjetër kjo mund të shikohet si një mundësi që bizneset shqiptare duhet ta shfrytëzojnë gjatë këtij viti, për të kapur atë treg të turizmit që tradicionalisht kanë përdorur Greqinë. Mundësia tjetër që mbetet për t’u parë gjatë muajve të ardhshëm është ajo që mund të ofrojnë investimet e huaja direkte në vend, të cilat janë një forcë shtytëse në zhvillimin e eksporteve”, tha Ciko.
 
Shqipëria eksportoi vitin e kaluar rreth 255 miliardë lekë. Kjo është sa 15 për qind e Prodhimit Kombëtar dhe e klasifikon Shqipërinë si një nga vendet me peshën më të ulët të eksporteve në ekonomi.   

Top Channel