Kush është Sergio Mattarella

31/01/2015 00:00

Personalitet pa njolla, i heshtur, tepër i kursyer në fjalë aq sa deklarata e fundit që ka bërë për Agjencinë Kombëtare të Lajmeve është e vitit 2008.

Presidenti i 12 i Republikës Italiane, Sergio Mattarella është i biri i një prej themeluesve të Partisë Demokristiane, ku edhe vetë ka milituar për shumë vjet deri sa kaloi në forcat e majta.

Me profesion gjykatës, ai është prej vitit 2011 anëtar i Gjykatës Kushtetuese e ka hyrë në politikë kur mafia i vrau të vëllanë në vitin 1980.

Kreu i ri i shtetit ka qenë pesë herë ministër dhe është një prej autorëve të reformës elektorale të aplikuar për herë të parë në vitin 1994. Në qeverinë e majtë të kryesuar nga Massimo D’Alema, ai ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes.

Në mars të vitit 1999, pas një fjalimi të fortë në Parlament pro ndërhyrjes në Kosovë, pati marrë vlerësimin maksimal nga Uashingtoni, të cilit i garantoi pa hezitim përdorimin e bazave ushtarake italiane për operacionet.

Një politikan solid dhe serioz, jo shumë i njohur në nivel ndërkombëtar, i tërhequr dhe pa bujë, aq sa një prej shprehjeve të tij të preferuar është: politika nuk bëhet duke bërtitur.

Top Channel