Meksikë, test ADN-je për foshnjat e mbijetuara nga shpërthimi

31/01/2015 00:00

Nëntë foshnje të gjetura të gjalla nën gërmadhat e spitalit pediatrik meksikan të shkatërruar nga një shpërthim gazi do t’i nënshtrohen testeve të ADN-së, në mënyrë që të bashkohen me prindërit e tyre.

“Testimi është i domosdoshëm sepse bebet nuk i kishin në dorë byzylykët e tyre të identifikimit”, deklaroi kryetari i bashkisë së Meksiko Sitit, Angel Mancera.

Shpërthimi i së enjtes i mori jetën një infermiereje dhe dy fëmijëve, ndërsa 70 persona të tjerë mbetën të plagosur. Besohet se shkak i fatkeqësisë u bë rrjedhja e gazit nga një autoçisternë që ishte duke furnizuar spitalin.

Shumë zona të qytetit të Meksikos nuk kanë vende të posaçme furnizimi me gaz, ndaj dhe e vetmja mënyrë për ta dërguar këtë mjet të domosdoshëm në to është përmes transportit me kamionë.

Shpërthimi bëri që në ajër të ngrihej një top i zjarrtë. Ai ishte aq i fuqishëm saqë pjesa dërrmuese e ndërtesës u shemb.

Punonjësit e çisternës luftuan për rreth 15 minuta për të vënë nën kontroll situatën në vendin e ngjarjes, ku u formua edhe një re gazi.

Nënat brenda ndërtesës mbrojtën me trupin e tyre fëmijët nga shpërthimi. Shumë prej tyre u plagosën duke pësuar djegie apo çarje në fytyrë nga xhamat e thyer.

Skuadrat e shpëtimit kërkuan nën rrënoja dhe vetëm në orët e vona të së enjtes i mbyllën kërkimet duke deklaruar se nuk kishte më asnjë të bllokuar.

Kryebashkiaku Mancera deklaroi se një tragjedi edhe më e madhe u shmang pasi stafi i spitalit arriti të evakuonte shumë të shtruar përpara se rrjedhja e gazit të kthehej në shpërthim. Tre operatorë të çisternës së gazit janë arrestuar ndërkohë nga policia.

Top Channel