Rama, tur inspektimesh në Korçë; kryeministri mbikëqyr investimet

31/01/2015 00:00

Në Drejtorinë e Policisë së Korçës u çel këtë të shtunë Zyra e Shërbimit Unik, ku përmblidhen të gjitha shërbimet që Policia e Shtetit ofron për qytetarët.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në përurim i shoqëruar nga zv.kryeministri Niko Peleshi, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Artan Didi. Kryeministri u njoh me mënyrën e funksionimit të kësaj zyre dhe shërbimet që do t’i ofrohen qytetarëve.

Në këtë zyrë shërbimet ofrohen të ndara në shërbime administrative dhe proçeduriale penale, ku shërbimi administrativ qytetarëve u ofrohet në 8 orë, ndërsa ai penal 24 orë. Ministri Tahiri u shpreh se gjatë vitit të fundit është dyfishuar aksesi i qytetarëve në shërbimet e policisë.

“Në vitin 2014 aksesi i qytetarëve tek policia është dyfishuar nga 2 mijë e 500 qytetarë që ishin në 2013 në mbi 5 mijë, gjë që tregon besimin e qytetarëve tek policia por edhe lehtësin e aksesit të tyre tek shërbimet e policisë”, deklaroi Tahiri.

Korçë, Bashkia rehabiliton ambientet urbane

Kryeministri Rama ka inspektuar gjithashtu edhe punimet për rehabilitimin e disa mjediseve të përbashkëta në blloqe të ndryshme banimi, në lagjet periferike të qytetit.

Këto projekte, që janë realizuar edhe me mbështetjen e qeverisë qendrore, përfshijnë ndërtimin e terreneve sportive në mjediset e shkollës bujqësore dhe të agrobiznesit.

“Ky këtu është njëri nga projektet e terreneve sportive që janë edhe në funksion të shkollave. Kjo është shkolla Bujqësore dhe e Agrobiznesit, por do të jetë edhe në funksion të komunitetit të lagjeve përreth gjatë orareve të pasdites, pasi është edhe me ndriçim”, deklaroi kryebashkiaku Sotiraq Filo.

Ndërkohë, kryeministri u ndal për inspektimin e të tjera terreneve sportive në shkollën “Demokracia”, po në Korçë. Kreu i bashkisë, Filo i prezantoi zotit Rama edhe një sërë projektesh të tjera që përfshijnë transformimin tërësor të disa blloqeve të banimit.

Qendra për komunitetin rom, Rama: Të kenë përfaqësim edhe në këshillat bashkiakë

Shefi i qeverisë mori pjesë edhe në çeljen e qendrës komunitare ndërkulturore bashkë me ministrin Erjon Veliaj dhe koordinatoren e përhershme të OKB në Tiranë, Zinep Touini. Ministri Veliaj sqaroi fondet që do të përfitojë komuniteti rom në 5 vitet e ardhshme.

“Do shpenzojmë 6.5 milionë euro për punësimin, nga një fraksion çdo vit; 2.4 milionë për shëndetësinë; 7 milionë për strehimin; 2.3 për ndihmën ekonomike dhe 2 milionë euro për shërbime të tjera për integrimin apo asistencën ligjore”, sqaroi Veliaj.

Investimet në energjitikë, Rama: Prioritet zonat turistike

Nënstacioni elektrik i Zemblakut në Korçë është një nga tre nyjet më të rëndësishme të sistemit energjitik shqiptar, në të cilin kanë nisur investimet për fuqizimin e tij.

Investimi, që në këtë nënstacion kap vlerën e 5 milionë eurove, do të shoqërohet me investimin në linjën e jugut, në atë që njihet ndryshe si Unaza e Jugut, me vlerë 32 milionë euro.

Duke e vënë theksin tek investimi në Unazën e Jugut, kryeministri Edi Rama deklaroi se për herë të parë që nga koha e elektrifikimit do të investohet në fuqizimin e furnizimit të zonave turistike, ku për vite me radhë mungesa e energjisë ka qenë një problematikë e mprehtë gjatë sezoneve.

“Qëllimi është që ne të bëjmë volumin më të madh të investimeve të këtyre 20 viteve në këto 3 vjet, në mënyrë që të kemi një fuqizim real të rrjetit dhe të shmangim ato situata të patolerueshme për qytetarët, por edhe për pjesën e jugut, në zonën turistike, ku që nga koha e Enver Hoxhës nuk është bërë më asnjë ndërhyrje”, tha Rama.

“Nuk është bërë asnjë ndërhyrje, madje është zona më keq e elektrifikuar e Shqipërisë”, përforcoi qëndrimin drejtori i OST-së, Ëngjëll Zeqo.

Investimi total në sistemin energjitik kap vlerën e 49 milionë eurove, nga të cilët pjesa më e madhe shkon për Unazën e Jugut. Kalimi i linjës në këtë zonë krijon mundësinë e ndërtimit të nënstacionit të Orikumit dhe Himarës, duke i dhënë në këtë mënyrë përparësi zhvillimit të turizmit.

Top Channel