Drafti për arsimin e lartë, MAS: Rrit autonominë e universiteteve

31/01/2015 00:00

Ministria e Arsimit i është përgjigjur kontestimeve për draft/ligjin e arsimit të lartë. Zv/ministri Arbër Mazniku tha se për përgatitjen e tij ka patur konsultime me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.

Ai theksoi se nisma rrit autonominë univeristare, duke e kaluar nga ministria tek vetë institucionet e arsimit të lartë, vendimmarrje që kanë të bëjnë me kuotat e pranimit të studentëve, numrin dhe pagat e pedagogëve, e të tjera.

“Draft/ligji që kemi dërguar është produkt i një procesi unik gjatë gjithë historisë së arsimit të lartë, ardhur pas një konsultimi të gjatë me të gjitha grupet e interesit. Draftligji është produkt i punës së një grupi ekspertësh të pavarur politikë dhe profesionalë.

Ne jemi të vetëdijshëm që një reformë që sjell ndryshime rrënjësore s’mund të jetë qind për qind konsensuale, por ndryshe nga reformat e së shkuarës kjo nuk është reformë e partisë në pushtet për partinë në universitet.

Kjo është një reformë për studentët dhe prindërit e tyre, një reformë që synon t’i japë vlerë mundit, kohës dhe financave të familjeve dhe taksapaguesve, duke siguruar që institucionet e arsimit të lartë të ofrojnë dije dhe cilësi”, deklaroi Mazniku.

Top Channel