Tiranë, pyllëzohet landfilli i Sharrës

31/01/2015 00:00

Thirrjes për të kontribuar në mbjelljen e pemëve në landfillin e Sharrës në Tiranë i janë përgjigjur 300 të rinj.

Organizatorët e kësaj iniciative, pothuajse tradicionale tashmë, kërkuan përmes rrjeteve sociale angazhimin e të rinjve në kuadër të nismës “Mbill pemën tënde”.

Thirrja ishte për të kontribuar në mbjelljen e 1 mijë pemëve, por angazhimi shumë i madh bëri të mundur grumbullimin e 2.300 fidanëve dhe sot dhjetëra të rinj finalizuan këtë nismë shumë domethënëse.

Pemët e reja janë mbjellë në një zonë shumë të ndotur për shkak të depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit të Tiranës. Ato do kontribuojnë në pastrimin e ajrit, tokës dhe ujërave.

Organizatorët thonë se ky aksion do të mundësojë një zgjidhje natyrale afatgjatë me akacie për filtrimin e një sasie të konsiderueshme të gazrave të lëshuar në këtë landfill.

Duke lëvizur me biçikletat e qytetit, mesazhi i kësaj nisme është fare i thjeshtë “gjeste të vogla me shije përjetësie”.

Top Channel