Vizita në Qipro, Bushati i përgjigjet Tsipras

31/01/2015 00:00

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë së bashku me ministrin e Energjitikës po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Qipro. Në një koment për Top Channel, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i është përgjigjur pyetjes në lidhje me qëndrimet e shprehura më herët nga ana e kryeministrit të ri grek, Aleksis Tsipras për Shqipërinë dhe për kufizimet që i duheshin vënë vendit tonë nga Greqia.

“Nuk e di se në ç’kontekst i ka deklaruar Tsipras këto qëndrime, aq më tepër kur në opozitë është e lehtë të flasësh por në qeveri është e vështirë të bësh. Por gjatë vizitës këtu në Qipro, në takimet me krerët e shtetit, kam vënë re se ka të përbashkëta në problematikën mes dy vendeve tona për përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike dhe shelfit kontinental. Besoj se kjo problematikë, që siç e ka Qipro me fqinjin e saj e ka edhe Shqipëria me të sajin, mund të adresohet tek e drejta ndërkombëtare, respekti për të dhe tek preçedentët pozitivë”, ka deklaruar Bushati.

Bushati është i mendimit se shumë çështje që kanë marrë zgjidhje mes dy vendeve nuk do rikthehen. “Ne kemi një proces të nisur me qeverinë e kaluar, kemi dhënë zgjidhje për çështje sensitive si ajo e toponimeve, kemi ngritur disa komisione të përbashkëta me palën greke dhe nuk besoj se do kemi një qasje të re për të adresuar probleme që tashmë konsiderohen të vjetra”, ka thënë Bushati.

Ndërkohë gjatë vizitës zyrtare, dy ministrat janë takuar me presidentin e Qipros, kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Janakis Omiru, si dhe me homologët përkatës. Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe si dhe gjetja e rrugëve të mundshme për përmirësimin dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ishin në qendër të takimit me ministrin e Jashtëm, Kasulides.

Palët u shprehën se është e nevojshme që potencialet e të dyja vendeve të aktivizohen e angazhohen më tej për të zgjeruar bashkëpunimin. Gjatë konferencës për shtyp me homologun Kasulides, ministri Bushati u shpreh se Shqipëria inkurajon Qipron për një qasje më fleksibël në raport me Kosovën.

Në kuadër të këtij takimi, ministrat Bushati dhe Kasulides nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë. Ndërkohë, gjatë takimit me homologun e tij, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri u ndal tek reformat që po ndërmerren në Shqipëri. Ai theksoi se vendi ynë mund të shfrytëzojë eksperiencat e Qipros sa i takon menaxhimit të zonave ekonomike.

Top Channel