Moti i keq përfshin vendin, dëme dhe terr nga veriu në jug

31/01/2015 00:00

Moti i keq me reshje shiu, dëbore dhe me erëra të forta ka përfshirë vendin, si në qarqet e veriut ashtu edhe në ato të jugut.

Nga të dhënat e fundit të autoriteteve lokale mësohet se në Gjirokastër, rreth 40 për qind e qytetit kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga shirat dhe erërat e forta.

Autoritetet lokale njoftojnë se pa energji dhe me probleme të tjera ndodhen edhe fshatrat përreth si Lunxhëria, Libohova dhe Odria.

Ndërkohë, probleme të ngjashme janë verifikuar edhe në Tepelenë e Përmet, njoftojnë më tej zyrtarët lokalë, të cilët po koordinojnë ekipet e ndërhyrjes së shpejtë për riparimin e dëmeve.

Ndërkohë, reshjet e dëborës në lartësinë 700 metra, të
shoqëruar me stuhi të forta kanë shkaktuar vështirësi dhe probleme për
banorët në rajonin e Dibrës.

Kështu, banorët e pesë komunave në rrethin e Bulqizës, Zerqan, Shupenzë, Ostren, Trebisht dhe Martanesh kanë mbetur në errësirë që prej natës së kaluar.

Shkak i ndërprerjes së dritave janë bërë defektet në linjat e transmetimit, të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe dëborës, si dhe nga erërat e forta.

Si pasojë e stuhisë janë këputer përcjellësit e energjisë dhe janë shembur mjaft shtylla elektrike. Grupet e punës së OSHEE-së kanë dalë në terren për riparimin e defekteve të shkaktuara, ku dhe kanë bërë të mundur rikthimin e energjisë paraditen e sotme.

Problematik në rrethin e Bulqizës për energjinë elektrike ngelet vetëm komuna Trebisht dhe disa fshatra të komunës Zerqan. Por vijimi i motit me reshje e bën shumë të vështirë riparimin e linjave për të rikthyer dritat. Probleme me energjinë ka pasur dhe në mjaft komuna të rrethit të Dibrës, si në Lurë, Selishtë, Kala e Dodës dhe Sllovë.

Ndërkohë, reshjet kanë dëmtuar dhe shumë pemë të mbjella në anësoret e rrugës në disa nga zonat e sipërpërmendura, ndërsa në të tjera ka pasur rrëshqitje dherash dhe gurësh. Por rrugët janë pastruar nga kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e tyre.

Burime nga Prefektura e Dibrës bëjnë me dije se është mbledhur shtabi i emergjencave, ku është diskutuar situata e motit dhe janë dhënë masa e detyra konkrete për përballimin e kësaj situate. Ndërkohë, reshjet e dendura në lartësinë 700 metra vijojnë ende në Bulqizë e Peshkopi.

Top Channel