Superliga, Kukësi i vetëm në krye

31/01/2015 00:00

Pero Pejiç shkatërroi Elbasanin duke ngjitur Kukësin të vetëm në krye të Superligës. Sulmuesi kroat u bë lojtari i ndeshjes pasi shënoi 3 gola në fitoren 3-0 të verilindorëve ndaj ekipit të Dostit, që me shumë mundësi do të luajë për të respektuar kampionatin pasi shanset për një mrekulli mbijetese janë shumë të pakta.

Me tripletën e së shtunës, shtatlarti Pejiç e çon në 14 numrin e golave të shënuar këtë sezon në Superligë.

Laçi i Armando Cungut ndali në barazim pa gola Skënderbeun, i cili tashmë e sheh veten 4 pikë larg Kukësit kryesues. Korçarët e drejtuar nga Mirel Josa e dominuan lojën, por nuk arritën në asnjë moment të shndërronin në gol rastet e krijuara para portës së Vujadinoviç.

11 minuta i kanë mjaftuar Partizanit të marrë 3 pikë në Fier dhe të mbajë ritmin e skuadrave kryesuese të Superligës. Të kuqtë e drejtuar nga Shpëtim Duro nuk treguan asnjë mëshirë dhe fituan 2-0 ndaj Apollonisë, skuadër e cila vazhdon të mbetet e fundit në klasifikim.

Vila dhe Rahmani ishin autorët e golave për ekipin kryeqytetas, që pas kësaj fitoreje mban vendin e katërt me pikë të barabarta me Skënderbeun e vendit të tretë.

Goli i Mirel Çotës në fund të ndeshjesh i dha fitoren 2-1 Teutës ndaj Vllaznisë në “Niko Dovana”. Skuadra durrsake, e cila javën e kaluar ishte pjesë e polemikave për humbjen në Vlorë, kaloi në avantazh në minutën e ‘42 me një 11-metërsh të Andi Nikës.

Në pjesën e dytë, Soza shndërroi në gol pasigurinë e portierit Osmani në minutën e ‘69 dhe barazoi shifrat. Atëherë kur të gjithë mendonin se ky do të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, Mirel Çota i harruar nga mbrojtësit e Vllaznisë shënoi golin e dytë për Teutën.

Ndeshja në Durrës u mbyll me protestat e lojtarëve të Vllaznisë për një gol të tyrin të anuluar nga kryesori Blerim Ziri në minutën e ‘95. Ky triumf e largon më shumë Teutën nga fundi i renditjes, ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e shtatë me23 pikë.

Top Channel