Ndalet boksieri shqiptar Nuri Seferi, humbet me pikë ndaj Glowackit

01/02/2015 00:00

Nuri Seferi nuk arrin dot të fitojë titullin botëror në kategorinë WBO. Boksieri nga Gostivari humbi në sfidën për titullin kampion ndaj polakut Kristof Glowackit, në përfundim të raundit të 12 të saj.

Në raundin e parë, të dy boksierët menduan më shumë për të studiuar njëri-tjetrin. Por me kalimin e kohës, 38-vjeçari shqiptar e pati të vështirë t’i afrohej Glowackit, i cili kishte edhe avantazhin e fizikut të tij, duke qenë se ishte më shtatlartë se Seferi.

Agresiviteti në këtë përballje u rrit në raundin e tretë dhe kjo u duk edhe në vazhdimin e ndeshjes, duke bërë që opsioni i vetëm i Seferit për këtë përballje të ishte sulmi ndaj kundërshtarit të tij, për të tentuar hedhjen në “Knock Out”. Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe Glowacki vijoi të fitonte pikë kundrejt Seferit.

Në raundin e 12, Seferi arriti të godasë fortë Glowackin, duke bërë që ai të lëkundet disi. Por polaku u rikthye fuqishëm, duke lëshuar një sërë goditjesh ndaj Seferit, për të fituar takimin me vendim unanim të Jurisë: 118-110, 118-110, 120-108.

Për Nuri Seferin kjo është disfata e parë që nga viti 2008, kur u thye nge Herbi Hajd, dhe tani ka një bilanc me 36 fitore, 20 nga të cilat me “Knock Out”, dhe 7 humbje.

Top Channel