Bundesliga, Dortmundi rikthehet në vendin e fundit. Rekord negativ

01/02/2015 00:00

Borussia Dortmund rrëshkiti sërish në vendin e fundit të Bundesligës, pavarësisht se arriti të merrte një barazim pa gola ndaj Leverkusenit në fushën e këtyre të fundit.

Që përpara se të niste një prej sfidave më të rëndësishme të javës së parë të fazës së dytë, që nisi të premten me fitoren e thellë të Wolfsburgut ndaj bavarezëve kryesues të Bayern Munchen, fitorja 4-1 e Freiburgut ndaj Frankfurtit bëri që ekipi i Streich të ngjitet në vendin e 13, për ta dërguar Dortmundin në fund për herë të parë që prej nëntorit.

Por të besuarit e Jurgen Klopp dështuan të thyenin mbrojtjen e Leverkusenit në “BayArena”, pasi sulmuesi italian Immobile shpërdoroi disa raste në pjesën e dytë. Por edhe mbrojtësi i Gjermanisë, Mats Hummels, shpërdoroi një rast të artë në pjesën e parë.

Me 10 humbje në 18 ndeshje të luajtura deri më tani, ekipi i Klopp ka shënuar rekordin më të keq në Bundesliga, ndërkohë që kanë nisur seriozisht shqetësimet dhe njëkohësisht domosdoshmëria për t’i shpëtuar rënies nga kategoria, për herë të parë që prej vitit 1976.

Në ndeshjet e tjera, Schalke fitoi 1-0 ndaj Hannoverit, por do të humbasë Huntelaarin në përballjen ndaj Bayern Munchen, për shkak ndëshkimi me të kuq. M’gladbachu u ngjit në vendin e tretë pas fitores minimale 1-0 ndaj Stuttgartit, ndërsa Këlni fitoi 2-0 ndaj Hamburgut. Fitore të thellë shënoi edhe Mainzi, 5-0 ndaj Paderbornit.

Top Channel