Reshje shiu dhe bore në Bulqizë, bllokohen disa komuna nga rrëshqitja e gurëve

01/02/2015 00:00

Moti i keq me stuhi e reshje të rrëmbyeshme ka shkaktuar vështirësi dhe probleme në aksin rrugor Bulqizë-Peshkopi, në vendin e quajtur Sofraçan të Rrethit Bulqizë, ku si pasojë ka pasur rrëshqitje të një shkëmbi me përmasa të mëdha, duke bllokuar pothuajse të gjithë rrugën nacionale.

Ndërkohë, si pasojë e këtyre reshjeve, probleme janë shkaktuar edhe në rrugë, ku janë vërejtur rëshqitje dherash dhe gurësh në shumë segmente, që lidhin Peshkopinë me Bulqizën dhe Matin.

Rrëshqitje gurësh ka pasur gjithashtu edhe në një segment të të ashtuquajturës “Rruga e Arbërit”, në afërsi të Qafës së Buallit, duke e kthyer shpesh herë me një korsi kalimi.

Situata në komunat Ostren, Zerqan, Trebishtë, Fushë Bulqizë, Martanesh dhe në disa fshatra të komunës Shupenzë është rënduar prej reshjeve të borës, që në Rrethin e Bulqizës ka arritur mbi 20 cm dhe lëvizja bëhet me zinxhirë.

Me zinxhirë lëvizet edhe në akset Ura e Çerenecit-Librazhd, Qafë e Buallit-Krastë. Reshje dëbore dhe probleme ka pasur dhe në Peshkopi, teksa probleme në lëvizje janë shfaqur në disa komuna të Dibrës, si Lura, Kalaja e Dodës, Selishtë, Sllovë, në të cilat lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë, sipas rekomandimeve të policisë.

Burime nga Prefektura e Dibrës bëjnë me dije se është mbledhur Shtabi i Emergjencave, ku është bërë prezent situata në lidhje me motin e keq dhe janë dhënë detyrat konkrete e masat e nevojshme për përballimin e kësaj situate. E megjithatë, situata është mbajtur nën kontroll përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme, si për pastrimin e dëborës, ashtu dhe të gurëve në rrugë.

Top Channel