Berat, përmbytje në disa krahina. Dëmtohen ura, uji pushton tokën dhe banesat

01/02/2015 00:00

Reshjet me intensitet të lartë kanë rënduar situatën në gjithë Qarkun e Beratit, ku uji ka pushtuar sipërfaqe të tëra të tokave si dhe banesa.

Zonat më problematike janë Skrapari, ku është dëmtuar njëra këmbë e urës në komunën Otllak, ndërsa uji ka vërshuar nëpër banesa në fshatin Moravë.

Situata më e rënduar paraqitet në Urën Vajgurore, ku dhjetëra banesa janë nën ujë.

Duke parë këtë gjendje është mbledhur Shtabi i Emergjencave, ku është kërkuar edhe ndihma e ushtrisë, përveç policisë dhe grupit të emergjencave, që janë mbledhur së bashku për të përballuar situatën, duke bërë edhe evakuimin e banorëve.

Sipas shefit të Emergjencave, Halim Koxhai, situata është nën kontroll për momentin, por në bazë të komunikimit me Qarqet e Korçës e Skraparit, prurjet e lumit janë duke u shtuar, ndaj dhe parashikohet që situata të rëndohet edhe më tej.

Ndërsa komandanti i ushtrisë, Gëzim Marku, pohon se kanë qenë në gjendje gatishmërie, duke ndihmuar banorët në këtë situatë të vështirë, pasi kanë marrë sinjalizimin në orën tre të mëngjesit.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormëni, ka pohuar se gjendja në këtë qytet është nën kontroll, edhe pse ka dëmtime në banesa, ndërsa banorët janë jashtë rrezikut, por do të strehohen diku tjetër, deri në përmirësimin e situatës.

Top Channel