Përshtypje të madhe ka krijuar fakti që për herë të parë policët grekë, të cilët kanë shoqëruar dy protesta mbrëmjen e së shtunës, nuk kanë qenë të armatosur. Mijëra grekë kanë marshuar në rrugët e Athinës, në një miting antifashist, në përgjigje të një tubimi që zhvillohej pothuajse në të njëjtën orë, nga anëtarë dhe përkrahës të partisë neonaziste “Agimi i Artë” vetëm një kilometër më larg.

“Nuk mund të lejojmë këta njerëz, që janë armiqtë e lirisë, të jenë në gjendje të demonstrojnë, të përhapin këtë ndienjë të urrejtjes, që shoqërohet me sulme ndaj emigrantëve apo aktivistëve të majtë, që luftojnë për të drejtat e tyre”, tha Efi Karidi, studente.

Por qytetarët e Athinës, të cilët kanë parë që protestat e ndryshme në katër vitet e fundit të përfundojnë në mënyrë të dhunshme, me përleshje të ashpra dhe gaz lotsjellës nga forcat speciale, tashmë janë përballur me një stil të ndryshëm të policisë, i kërkuar ky nga qeveria e re e radikalëve të majtë, që kanë ardhur në pushtet një javë më parë, me qëllim rikthimin e besimit të popullit te forcat e rendit.

Pranë një rreshti të autobusëve, që ndante dy mitingjet, kamerat kanë fokusuar karikatorët bosh të pistoletave të policëve, që kanë qenë thjesht mbikëqyrës të dy mitingjeve, pa skafandra dhe maskat kundër lëndëve kimike.

Ndërsa në mitingun e Agimit të Artë, që është mbajtur për të nderuar tre oficerë grekë, të vrarë në një aksident me helikopter 19 vjet më parë mbi ishullin Imia, pranë brigjeve turke, kanë mbizotëruar përsëri thirrjet për lirimin e liderit të kësaj partie dhe 5 ligjvënësve të tjerë të saj, të cilët ndodhen ende në burg në pritje të gjyqit, me akuzat për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale.

“Hera e dytë radhazi në zgjedhje dhe Agimi i Artë është fuqia e tretë politike. Megjithatë, lideri ynë mbahet padrejtësisht i burgosur në Koridhalo, e bashkë me të edhe deputetë grekë që janë rizgjedhur përsëri. Nuk po bëjmë lutje, por po kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe dhënien fund të kësaj çmendurie”, tha Ilias Panagiotaros, deputet i Agimit të Artë.

Ky është mitingu i parë i kësaj partie, pas një fushate të qetë elektorale të saj, ku janë dëgjuar përsëri retorikat për dëbimin e të huajve, ndërkohë që qeveria e radikalëve të majtë ka premtuar dhënien e nënshtetësisë për të gjithë fëmijët e emigrantëve të lindur në Greqi. Zhvillimi i qetë i dy protestave nuk ka mbetur pa u komentuar nga mediat greke, por edhe ato të huaja.

Top Channel