FIFA teston gjyqtarët shqiptarë. Benet, stema gjyqtarëve ndërkombëtarë të Superiores

01/02/2015 00:00

Në prag të fazës së tretë të Kategorisë Superiore, gjyqtarët e të gjitha kategorive të futbollit shqiptar u janë nënshtruar testeve fizike dhe teorike nën kujdesin e përfaqësuesve të FIFA-s.

Këtë herë, i pranishëm në seminarin 5-ditor ka qenë ish-gjyqtari i Premier League, për 12 vite edhe gjyqtar ndërkombëtar, Steve Benet, aktualisht anëtar i komisioneve teknike të gjykimit në FIFA. Ai ka dhënë eksperiencën e tij për gjyqtarët tanë, duke analizuar shpesh herë edhe raste të dyshimta të ndodhura gjatë fazave të para të këtij sezoni.

Veç analizave teorike për vendimet e ndryshme, gjyqtarët shqiptarë duhet të kalojnë si çdo vit edhe testet fizike, të cilat janë të paracaktuara nga një program i përbashkët i UEFA-s e FIFA-s dhe që u zhvilluan në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Ky program konsiston në një test rezistence dhe shpejtësie, që në të vërtetë gjyqtarëve shqiptarë në shumë raste i nevojiten për gjykimet e tyre ndëkombëtare, sesa në ndeshjet e Superiores apo të Kategorisë të Parë e të Dytë, apo edhe në nivele të tjera.

Pas përfundimit të testimeve, nga 18 gjyqtarët kryesorë të Superiores kaluan vetëm 17, pasi Emirjon Sino nuk mundi të kapë normat fizike, e si rrjedhojë do ta ketë të ndaluar të gjykojë në këtë pjesë të mbetur të sezonit, deri në testimet e radhës.

Ndërkohë që, për sa i përket gjyqtarëve të kategorive më të ulta, Sokol Ceka sërish nuk mundi të kalojë normat, për shkak të një dëmtimi fizik. Pas përfundimit të të gjithë seminarit dhe normave fizike, përfaqësuesi i FIFA-s, Steve Benet, ka ndarë stemat e gjyqtarëve tanë ndërkombëtarë, konkretisht Lorenc Jeminit, Enea Jorgjit dhe Bardhyl Pashait, të shoqëruar nga 8 asistentë.

Top Channel