Vjosa, përmbytje edhe në Vlorë, rrezikohen qindra shtëpi

01/02/2015 00:00

Situatë e rëndë paraqitet edhe në disa fshatra të Vlorës, veçanërisht nga dalja e lumit Seman në Novosele, ku qindra hektarë tokë janë përmbytur dhe shumë familje janë evakuuar.

Siç edhe ka njoftuar nga raportimet e mëparshme për një situatë të rënduar që nga dita e djeshme, korrespondenti i Top Channel në Vlorë, Mikel Marsi, thotë se fryrja dhe dalja e lumit Vjosë nga shtrati, ka ndikuar edhe në nivelet e Semanit, gjë që ka bërë që disa banesa të jenë nën ujë.

“Janë 14 banesa të gjendura nën ujë që prej mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që pritet evakuimi i banorëve të tyre përmes gomoneve të Delta Forcës. Vetëm pak çaste më parë një gomone e Delta Forcës ka evakuuar 3 persona të këtyre shtëpive, ndërkohë që operacioni do të vazhdojë, pasi disa banorë janë duke jetuar nëpër tarracat e banesave të tyre nga rreziku i mbytjes. Ndërhyrja për këto shtëpi ka qenë e pamundur të kryhej mbrëmjen e djeshme, pasi edhe gomonet e forcave policore kanë ardhur sot paradite në dispozicion. Ekziston ende rreziku që këto shtëpi të merren nga rrjedha e Vjosës, pasi sipas njoftimeve që kemi nga Përmeti dhe Tepelena prurjet priten të shtohen edhe më tepër duke u bërë të frikshme. Mund të rrezikohen me qindra banesa, jo vetëm këto 14 që janë përmbytur deri më tani. Kurrë nuk është parë një nivel i tillë fryrjeje, ndaj dhe Vjosa pritet të bëhet edhe më tepër agresive”, tha Mikel Marsi.

Në komunën Novoselë raportohet për një situatë tepër të rënduar nga dalja e Vjosës që, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe mungesës së energjisë në hidrovorë, ka përmbytur këtë komunë në Qarkun e Vlorës.

Shtabi i Emergjencave Civile, i mbledhur me urgjencë që prej mbrëmjes së djeshme, vendosi evakuimin e të gjithë banorëve dhe bagëtive. Shtëpitë dhe dhjetëra hektarë tokë janë përmbytur. Deri më tani flitet për 14 banesa të përmbytura në Komunën Novoselë, si dhe 5000 ha tokë bujqësore nga dalja prej shtratit e Vjosës.

Problemet në këtë zonë vazhdojnë që prej ditës së djeshme, ku shkoi edhe vetë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, për të parë nga afër situatën. Dje, ministri Panariti paralajmëroi se nëse nuk do të rikthehej energjia elektrike në hidrovorë për të mundësuar tërheqjen e ujit, do të ishte e detyrueshme evakuimi i banorëve dhe bagëtive.

Në zonë janë edhe FNSH dhe zjarrfikësja. Novosela është një zonë problematike, por ajo çka kemi primare është evakuimi i njerëzve, më pas do të bëhen përllogaritjet e dëmeve. Problem është akoma Bishti i Malit në Selenicë, ku ka një bllokim rruge, në Peshkëpi dhe Vllahinë, prej rënies së një masivi gurësh.

Top Channel