Athina është mbuluar prej pluhurit afrikan, çka e ka bërë atmosferën në kryeqytetin e vendit të padurueshme. Shikueshmëria është e kufizuar, ndërsa gjatë orëve të mesditës Mbrojtja Cilvile paralajmëroi personat me probleme në frymëmarrje të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Retë e pluhurit afrikan që vijnë nga shkretëtira e Saharasë kanë mbuluar pothuajse gjithë pjesën jugore të Greqisë: Kretën dhe ishujt e Egjeut.

Era e fortë me drejtim nga jugu, përveç sasisë së madhe të pluhurit ka krijuar edhe mjaft probleme në lëvizjen e trageteve dhe anijeve në gjithë Egjeun.

Probleme janë vënë re edhe në fluturimet e avionëve në disa ishuj të Egjeut, ku janë anuluar disa fluturime.

Në pjesën qendrore dhe veri-perëndimore të vendit, kryesisht në zonën e Epirit, reshjet e shiut kanë krijuar mjaft probleme.  Janë regjistruar dëme materiale në shumë fshatra të Epirit. Shkarje dheu janë shënuar në shumë zona malore të Epirit.
Autoritetet janë detyruar të hapin portat e digës Purnara pasi në këtë liqen vërshimet arritën në 1700 metër kub në minutë, nga 500 që është rrjedha normale e  saj.

Si rrjedhojë, u evakuuan disa fshatra në zonën e Artës dhe u shënuan përmbytje në zonën perëndimore të Artës dhe Prevezës.

Po në të njëjtën zonë janë dëmtuar edhe disa monumente të kulturës, ku sipas policisë lokale, valët e lumit Arakthos kanë dëmtuar rëndë “Urën e Plakës”. Ky monument kulture është ndërtuar në shekullin e 18 dhe është ndërtuar në kufirin që ndante territoret e Camërisë nga pjesa tjetër e Greqisë. Ajo përdorej dhe si doganë për banorët në dy anët e kufirit që këmbenin prodhimet e tyre.

Situata meterologjike në vend është e rënduar, ndaj dhe kryeministri i vendit mblodhi me urgjencë Shtabin e Emergjencave. Pritet që në zonën e Epirit të dërgohen ndihma dhe mjete të xhenjos për të ndihmuar banorët.

Sipas Institutit Meterologjik të Athinës, kjo situatë do të vazhdojë edhe gjatë 24 orëve të ardhshme e në vazhdim situata pritet të normalizohet.

Top Channel