Currilat shpëtojnë nga rrëshqitja e tokës

01/02/2015 00:00

Pas reshjeve të dendura të këtyre ditëve në kodrën e Currilave në Durrës nuk ka ndodhur më rrëshqitje.

Projekti i realizuar nga Ministria e Mjedisit jo vetëm që ka frenuar erozionin, por i ka kthyer pamjen e gjelbëruar. Ndërkohë që më parë kjo kodër ishte shndërruar në makth për qytetarët e Durrësit, pasi rrëshqitja e dheut, sa herë binte shi, bllokonte rrugën për në Currila, por njëkohësisht shkaktonte dëme të konsiderueshme në shtëpitë e banorëve dhe bizneset në këtë zonë shumë të frekuentuar.

“Pas një testimi disa mujor, me reshje të vazhdueshme, jam i bindur se kodra e Currilave tashmë është e rehabilituar. Tashmë do të jetë një park në shërbim të qytetarëve durrsakë. Kjo vepër ka shtuar besimin, jo vetëm për rikthimin e kësaj kodre në identitet, por dhe për erozionin në tërësi. Kemi një sipërfaqe të madhe të tokave shqiptare që janë në presionin e erozionit dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme”, është shprehur ministri Koka.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka thekson se projekti i realizuar për frenimin e erozionit në këtë kodër, përveç sigurisë teknike, synon shndërrimin e kësaj zone në një park të aksesueshëm për qytetarët. Në të është parashikuar një rrugë pedonale me stola, ndriçim, si edhe korsi të posaçme për biçikletat.

“Hapi i parë ka qenë disiplinimi i ujërave. U bë rehabilitimi nga ana infrastrukturore të kodrës, vendosja e rrjetave. Ndërhyrja infrastrukturore që është bërë dhe vendosja e bimësisë krijojnë siguri maksimale për mosrrëshqitje. Nga ana tjetër do të kemi një zonë të gjelbër në shërbim të qytetarëve”, tha Koka.

Për vitin 2015, ministri i Mjedisit shprehet se prioritet është kthimi në identitet i parqeve kombëtare, të cilat janë dëmtuar ndër vite.

“Investimet në 2015 janë fokusuar kryesisht në zonat e mbrojtura, qëllimi i vetëm është t’i rikthejmë ato për qytetarët. Në bashkëpunim me firmat që ushtrojnë aktivitete të ndryshme në miniera e hidrocentrale, të cilat kanë edhe detyrim ligjor për të rehabilituar zonat të cilat i kanë dëmtuar. Besoj se do të kemi një bashkëpunim nga ana e tyre për t’i rikthyer në identitet zonat të cilat po ata i kanë dëmtuar”, përfundon ministri Koka.

Top Channel