Ministria e Brendshme: Kryetari i Partisë Demokratike jashtë realitetit

01/02/2015 00:00

Pas deklaratës së lëshuar nga kreu i PD, ku i bënte thirrje Kryeministrit për ngritjen e menjëhershme të shtabit të emergjencës, reagoi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri që shpreh keqardhjen për shkëputjen e plotë të kryetarit të opozitës nga realiteti.

“Thirrja e tij për ngritjen e një shtabi emergjence është thirrje e dikujt që e ndjek jetën e vendit nga jashtë realitetit dhe mesa duket as nga televizori. Ministri i Brendshëm i shpreh kryetarit të opozitës gatishmërinë e institucionit për t’a informuar në kohë reale lidhur me ecurinë e punës së shtabeve të emergjencës, duke e ftuar njëkohësisht të vetëpërmbahet sepse njerëzve në zonat e përmbytura nuk u bëjnë asnjë punë reshjet e zakonshme të shpifjeve të Partisë Demokratike”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

Por, sërish reagoi Partia Demokratike, e cila përsëriti thirrjen ndaj Kryeministrit Rama që “të çohet nga sofra e lakrorëve dhe kërnackave të fundjavës e të mbledhë shtabin e emergjencës. Situata nuk përballohet me deklaratat infantile e të papërgjegjshme të ministrave të tij e as duke sulmuar”, thuhet në reagimin e PD-së.

Top Channel