Prençi: Situata e rëndë, por janë marrë të gjitha masat

01/02/2015 00:00

Në një lidhje telefonike në Edicionin Qendror të lajmeve në Top Channel foli drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq.

Zoti Prençi është shprehur se situata është shumë e rëndë, por të gjitha strukturat janë në terren duke i ardhur në ndihmë personave në nevojë.

Ilir Paço: Si paraqitet situata dhe cilat janë masat e marra nga autoritetet për të përballuar situatën e krijuar nga moti i keq?

Shemsi Prençi: Situata është shumë e rënduar, por të gjitha strukturat janë në terren dhe po operojnë në bashkëpunim me pushtetin vendor. Situata e reshjeve, me intensitet të lartë dhe në një periudhë të gjatë kohe, është njoftuar që në datën 28 nga Qendra e Monitorimit të Situatave Meteorologjike dhe të Përmbytjeve në Europë, e cila ndodhet në Sllovaki dhe njoftimi ka pasur një saktësi deri në 62%. Kjo ishte një situatë konkrete dhe ndodhi, madje më e rëndë nga sa ishte parashikuar.

Ilir Paço: A mund të shmangej një situatë e tillë sepse ndodh në zona ku është përsëritur?

Shemsi Prençi: Jo. Njoftimi ishte bërë që më parë që në rajonet Gjirokastër, Tepelenë, Berat, Vlorë dhe në Fier do të ketë reshje të dendura shiu, madje që do të kapërcejnë masën mbi 200 mm shi në 24 orë. Kjo situatë erdhi dhe ishte konkrete. Me urdhër të ministrit të Brendshëm janë njoftuar dhe janë vënë në veprim të gjitha shtabet e Emergjencave Civile në të gjithë territorin e Shqipërisë, pasi parashikohej që edhe në zonat malore do të kishte reshje dëbore. Shtabet e Emergjencave Civile në prefektura dhe në ministritë e linjës janë ngritur që në datën 29 dhe kanë filluar të veprojnë në territorin ku parashikohej të kishte probleme.

Ilir Paço: A pati ndonjë rezultat ngritja e këtyre shtabeve, ku ne sot jemi në një situatë kritike?

Shemsi Prençi: Absolutisht që ka pasur rezultate sepse ne kemi bërë punë të vazhdueshme në terren për të njoftuar popullatën, për të sensibilizuar të gjitha strukturat e Emergjencave Civile, madje janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë. Sot kemi kryer një numër të madh operacionesh për evakuimin e banorëve.

Ilir Paço: Cilat janë masat e mëtejshme që do të ndërmerrni për të përballuar situatën?

Shemsi Prençi: Në këto kushte të motit, mobilizimi i të gjitha strukturave është që të shpëtojmë jetë njerëzish dhe bagëtitë.

Top Channel