Seria A, Milani rigjen fitoren, thellohet kriza për Interin

02/02/2015 00:00

Milani rigjen fitoren pas dy humbjeve radhazi duke mundur në “San Siro” 3-1 Parmën e vendit të fundit. Një ndeshje e një niveli nën mesatar, por që i vlen për klasifikimin kuqezinjve.

Menez kalon me anë të një 11-metërshi në avantazh skuadrën e Inzagit, por entuziazmi shuhet shpejt pasi Nocerino barazpeshon gjithçka duke e futur lojën në agoni dhe me një ritëm të ulët.

Në pjesën e dytë situata mbetet e njëjtë, pavarësisht se Milani arrin të zgjidhë takimin falë aftësive individuale të Menezit, i cili i jep sërish avantazhin në minutën e 57 dhe po ai është autori i asistit të golit të tretë të Zakardos.

Interi zhgënjen sërish duke regjistruar humbjen e dytë radhazi, këtë herë përballë Sasuolos: 3-1. Një paraqitje shumë e mirë e skuadrës së Di Franceskos e cila shënon shumë shpejt me Zazën dhe Sansonen, ndërkohë që Interi golin që ngushton përkohësisht diferencën e shënon në minutën e 83-të me Ikardin.

Pak vlen edhe ky gol pasi Sasuolo shënon për të tretën herë me Berardin.

Nuk ka përfituar dot Juventusi nga hapi fals i Romës. Bardhezinjtë mbeten në 7 pikë diferencë nga vendi i dytë pasi kanë barazuar 0-0 me Udinezen në Friuli.

Top Channel