Përmbytja shkatërron blegtorinë në Darzezë

02/02/2015 00:00

Fshati Darzezë, ndërtuar 30 vite më parë për të strehuar banorët që u shpërngulën nga fshati i Gramshit që do përmbytej nga hidrocentrali i Banjës, po vuan pasojat e vërshimit të ujërave të lumit Vjosa.

Në orët e para të mëngjesit duke gdhire dita e hënë, ujërat nisën të pushtojnë tokat, stanet dhe banesat e këtij fshati. Me qindra krerë bagëti janë mbytur ndërsa situata po rëndohej dhe mesditën e së hënës ujërat pushtuan plotësisht fshatin Darzezë.

Shumë banorë janë larguar edhe me ndihmën e forcave të policisë, emergjencave civile dhe mjetet e ushtrisë. Në qendër të operacioneve ishin banorët, ndërsa këta të fundit kanë nxituar që me barka e gomone privatisht të shpëtonin ato pak bagëti që mbetën gjallë gjatë natës.

Ndërkohë, një grup barinjsh që ndodheshin në zonën fushore duke dimëruar bagëtitë e tyre kërkuan ndihmë edhe nëpërmjet mediave sepse rrezikonin mbytjen.

Një varkë mundi t’i shpëtojë ata rreth mesditës, ndërsa pas lanë me qindra bagëti të mbytura. Bilanci i dëmeve ende nuk është bërë sepse ujërat janë ende në nivele shumë të larta në gjithë zonën fushore në qarkun e Fierit.

Top Channel