Politika dhe përpjekjet e Radikalëve të Majtë për të siguruar kohë dhe likuiditet duket se ka ndryshuar pozitivisht klimën për Athinën në fundjavë pas kontakteve të ministrit të Finacave Varufakis dhe telefonatave të kryeministrit Tsipras me homologë të tyre dhe përfaqësues të institucioneve europiane.

Pasi është takuar të premten me Sekretarin Amerikan të Thesarit, Jack Lew, kreu i Financave greke i ka parashtruar homologut të tij francez në mbrëmjen e së dielës në Paris planin e Athinës, me synim nënshkrimin e një kontrate të re me partnerët europianë të ashtuquajtur kontratë sociale, në mënyrë që të shkëputet përfundimisht nga kredia e ndihmës, këstet e së ciles i ka quajtur si dozat e drogës me të cilat vendi ka jetuar 5 vitet e fundit.

“Shqetësimi im si një europian më parë, është që ky program ndihmë po na kushton shumë jo vetëm ne, por edhe pjesës tjetër të Europës. Ne jemi të interesuar për minimizimin e humbjeve të partnerëve tanë. Dhe rruga më e mirë për ta bërë është duke ndihmuar Greqinë të kthejë kapitull, të kryejë reforma dhe të fillojë rritja ekonomike në mënyrë që të përballohen pagesat bashkë me interesin”, tha Varufakis.

Edhe ministri francez Sapen ka folur për një kontratë të re midis Greqisë dhe Europës që do të ketë në qendër reformat duke i dhënë një mundësi kohore qeverisë së re, por nga ana tjetër ai nuk ka pranuar opsionet për reduktimin e borxhit.

Michel Sapin deklaroi: “Ne mund të diskutojmë një numër të elementeve që mund të lehtësojnë barrën e borxhit grek sepse 175% e PBB-së është një barrë e rëndë, por sigurisht nuk ka asnjë fjalë për anulimin e tij.”

Ndërkohë, mbështetjen më të madhe Athina zyrtare e ka gjetur tek deklaratat e presidentit amerikan Barack Obama në një intervistë të tij tek CNN ku midis të tjerash ka deklaruar se për Greqinë një vend në recension, më e mira është të ketë një strategji reformash për zhvillimin e ekonomisë dhe jo masa të ashpra kursimi ndaj qytetarëve. Me një rënie 25% të nivelit të jetesës nuk mund të durojë as shoqëria greke dhe as sistemi politik, ka thënë Obama duke theksuar gjithashtu se për Gjermaninë do të ishte më mirë që Greqia të qëndronte në Eurozonë sepse kështu do t’u pëlqente edhe tregjeve.

Ndërkohë, publikime në shtypin gjerman komentojnë se kreu i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, duket se po mendon seriozisht për anulimin e “vizitave poshtëruese” të Trojkës në Athinë, plan me të cilin është dakord edhe kancelarja Merkel me kusht që Greqia do të respektojë angazhimet e saj.

Pas takimit të ministrit grek të Financave me homologun e tij britanik në Londër, maratona diplomatike e Athinës që duket se po jep fryte vazhdon me takimet e planifikuara të kryeministrit Tsipras në Romë me Mateo Rencin, në Bruksel me Jean Clode Junker dhe në Paris me presidentin Fransua Holland.

Top Channel