Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në fushën e drejtësisë

02/02/2015 00:00

Kosova dhe Shqipëria kanë filluar ta shtojnë bashkëpunimin në fushën e
drejtësisë, jo vetëm në aspektin gjyqësor, por edhe në atë juridik, për
të krijuar një klimë më të sigurtë për investitorët e të dyja vendeve.

Për këtë qëllim të hënën në Prishtinë ka nisur një vizitë dyditore ministri i Drejtësisë nga Shqipëria, Nasip Naço. Ai është takuar me homologun e tij kosovar ku kanë diskutuar për heqjen e çdo lloj burokracie që është në mes të dy administratave.
 
“Që të ketë investime qoftë nga Shqipëria në Kosovë apo anasjelltas duhet ajo që thatë edhe ju siguria juridike, duhet që të rriten investimet e reja, duhet një garanci në sistemin gjyqësor, një sistem të pavarur, një sistem që tregon integritet”, tha Naço.

Ministri Naço tha se kanë diskutuar me homologun e tij edhe për thellimin e bashkëpunimit për transferimin e të burgosurve, për bashkëpunim në fushën e noterisë si dhe për monitorimin elektronik të të burgosurve.

Naço po ashtu ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar që ta ndihmojë Kosovën me legjislacion në avancimin e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian, ku Shqipëria ndodhet disa hapa më përpara.
 
Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi tha se dy qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë duhet të punojnë edhe më shumë në sigurinë juridike të investitorëve.

“Kishim një angazhim të veçantë edhe për atë çka mund të bëjë drejtësia edhe në Kosovë edhe në Shqipëri për ekonominë në kuptimin e asaj që bën drejtësia për një angazhim më të madh për mundësinë që investitorët qoftë nga Kosova në Shqipëria po edhe e kundërta të kenë edhe një siguri të plotë juridike”, tha Kuçi.

Axhenda e ministrit shqiptar të Drejtësisë Nasip Naço në Kosovë perfshin takime me të gjithë krerët e institucioneve të drejtësisë, ndërsa të martën ai do të pritet edhe nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
 

Top Channel