Greqi, katastrofë biblike në të gjithë vendin. Përmbyten dhjetëra fshatra

02/02/2015 00:00

Katastrofë biblike ka lënë pas vala e motit të keq, që ka mbizotëruar sidomos në zonën e jugut të Epirit të Greqisë. Si rezultat i reshjeve të shumta, dhjetëra fshatra janë evakuar nga banorët, ndërsa rrëshqitjet e dheut kanë ndërprerë qarkullimin e automjeteve në shumë rrugë nacionale.

Autoritetet në zonat e Epirit, nga Janina, në Euritani, Fthiotidha e deri në Etoalakarnani, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas përmbytjeve katastrofike, ndërsa në gjendje gatishmërie ndodhen banorët e zonave lindore në kufi me Turqinë, pasi është rritur në maksimum niveli i lumit Evro.

Pasi është shkatërruar nga ujërat e rrëmbyer të lumit Arahtho, ura e Plakës, një monument kulture gati 300-vjeçar, ekziston shqetësimi se mund të ketë të njëjtin fat edhe ura e famshme e Artës, në Tesproti, zonë nga e cila shumë banorë kanë braktisur shtëpitë e tyre, pasi është dëmtuar më rëndë se të gjitha zonat e tjera. Prurja e ujërave në liqenin e Purnarës është pothuajse katërfishuar, ndaj janë hapur edhe portat e digës.

Autoritetet vendore, të cilat po ndjekin me shqetësim situatën, kanë shpallur alarmin, pasi moti i keq do të vazhdojë – sipas shërbimit meteorologjik të vendit – edhe në orët e ardhshme. Ato informojnë se mbi 60% e rrugëve nacionale të kësaj zone kanë pësuar dëme, ndërsa janë përmbytur të mbjellat, biznese të vogla, dyqane dhe shtëpi banimi.

E njëjta situatë edhe në Janinë dhe fshatrat e saj, për arsye të rritjes së nivelit të liqenit të Pamvotidhës. Në të gjitha zonat përreth janë regjistruar shembje dhe rrëshqitje dheu. Nga fenomenet ekstreme të motit ka pasur shumë dëme edhe në blegtori, pasi ujërat e rrëmbyera kanë përmbytur edhe stallat e bagëtive, sidomos në Bashkitë e Dodonit, në Filat dhe në Sul.

Në Fthiotida, disa fshatra kanë mbetur të izoluara, pasi janë shkatërruar urat që i lidhin ato me rrugët nacionale, mijëra hektarë të mbjella me drithëra janë përmbytur, si dhe disa fabrika në jug të qytetit të Lamias.

Probleme ka pasur edhe në veri të Greqisë, në akset kombëtare pranë Kilkizit, Kosturit, Pelles, Imathise dhe Follorinës, ku ujërat shpesh herë kanë përmbyutur rrugët. Në Peloponez, në zonën e Ilias, furtunat e orëve të fundit kanë bërë që ujërat e detit të hyjnë dhjetëra metra brenda dhe shumë shtëpi në bregdet kanë pësuar dëme.

Top Channel