Zgjerohet harta e përmbytjeve në jug, operacionet edhe në orët e natës

03/02/2015 00:00

Në jug të vendit vijon gjendja alarmante për shkak të vërshimit të ujrave dhe në mënyrë të veçantë në Fier dhe Vlorë, ndërsa në terren po ndërmerren operacione shpëtimi për banorët që ndodhen në mes të ujrave.

Deri më tani janë zhvendosur shumë familje, sipas të dhënave në terren, niveli i ujrave të Semanit dhe Vjosës po ulet, por ai mbetet ende kërcënues.

Ndërkohë, në Fier, në komunën Levan, në fshatrat Ferras, Martinë, Bishan dhe Poro, forcat e ndërhyrjes emergjente kanë evakuuar 110 familje. Operacionet më të vështira kanë qënë në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”. Dy helikopterë të forcave ushtarake kanë ndërhyrë në fshatin Poro të komunës Frakull dhe fshatin Darzezë e Re, komuna Dërmenas, në rrethin e Fierit.

Për evakuimin e familjeve nga komuna Novoselë janë angazhuar njësitë e “Delta Force” të Forcave të Armatosura.

Policia Rrugore ka bllokuar rrugën e vjetër Levan-Novoselë për shkak të ujrave sipërfaqësore që kanë arritur nivele të larta mbi rrugë.

Rruga funksionale nga Fieri në Vlorë është vetëm autostrada e re Fier-Vlorë.

Prençi: Operacionet edhe gjatë natës; 5 mijë HA nën ujë

Shefi i shtabit të emergjencave civile, Shemsi Prençi, në një prononcim për Top Channel nga Ura e Mifolit, në Vlorë, ka deklaruar se operacionet e shpëtimit janë shtrirë përtej Fierit dhe Vlorës.

“Prej tre ditësh jemi në krye të operacionit për menaxhimin e situatës në Vlorë, Fier, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan. Situata ka qenë e vështirë për shkak të reshjeve dhe prurjeve të lumenjve. Më problematike ka qenë situata në Frakull, Novoselë dhe Levan të Fierit”, ka thënë Prençi. Sipas tij, thellësia e ujit ka arritur në 1.3 metra, ndërkohë që ka edhe banesa të mbuluara tërësisht.

“Kemi evakuuar rreth 300 familje, 110 prej të cilave në Novoselë, mbi 100 të tjera në Levan, etj. Ndërkohë ka qenë tërësisht e pamundur të shpëtohej bagëtia, sepse në zonën mes Fierit dhe Vlorës kullosin me dhjetëra mijëra bagëti. Edhe sikur të kishim mjetet më të sofistikuara do të kishte qenë e pamundur t’i shpëtonim.

Skuadrat tona u thanë barinjve të lëvizin bagëtitë në pjesët kodrinore, por ata nuk dëgjuan”, ka thënë Prençi, për të shtuar se operacionet do të vijojnë pavarësisht errësirës.

“Jemi dhjetëra forca policie që do vazhdojmë operacionet edhe gjatë natës, pasi janë rreth 5 mijë hektarë tokë nën ujë”, ka shtuar zyrtari i lartë.

Mbledhja e qeverisë, Peleshi: Njësitë e emergjencës në gatishmëri

Ndërkohë, në përfundim të mbledhjes së qeverisë mbrëmjen e së hënës, zv.kryeministri Niko Peleshi, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe ai i Brendshëm Saimir Tahiri kanë dalë në një deklaratë për shtyp, ku kanë raportuar për situatën.

Zv.kryeministri Peleshi ka bërë të ditur se të gjitha njësitë e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të zonave të prekura që të bashkëpunojnë me skuadrat e shpëtimit.

Zoti Peleshi ka vënë gjithashtu në dukje se qeveria nuk do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, sikurse ishte informuar më herët nga burime të aferta me ekzekutivin.

Panariti: Situata e papreçedent, probleme në ditët në vijim

Ndërsa ministri Panariti ka bërë me dije se përballë situatës së rënduar, që sipas tij ka shkuar përtej parashikimeve, kanalizimet dhe hidrovorët kanë funksionuar plotësisht, duke mundësuar tërheqjen e ujërave në disa zona të vendit.

“Ministria e Bujqësisë ka ndjekur me vëmendje situatën në kanalizime. Të gjitha rrjetet dhe hidrovorët kanë punuar, duke bërë që ujërat të tërhiqen, si për shembull në Lushnje. Ne kemi pasur prioritet evakuimin e njerëzve dhe të gjësë së gjallë. Kemi bërë maksimumin për të larguar në kohë njerëzit dhe bagëtinë”, ka thënë Panariti.

Ministri ka nënvizuar se situata ka qenë e vështirë për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, si pasojë e të cilave uji në lumin e Vjosës arriti në një nivel që nuk regjistrohej që prej vitit 1964.

“Situata është ende e vështirë dhe e rënduar dhe pritet të ketë probleme pasi në ditët në vazhdim do ketë sërish shira të dendura”, ka shtuar Panariti.

Tahiri: Disa qarqe në gjendje kritike, qytetarët të bashkëpunojnë

Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka bërë me dije se disa qarqe të vendit ndodhen në gjendje kritike dhe ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me njësitë e shpëtimit në raste evakuimi. Gjithashtu, Tahiri ka bërë edhe një përmbledhje të operacioneve të zhvilluara që në orët e natës e deri në mbrëmjen e së hënës.

“Që prej natës së djeshme janë evakuuar mbi 300 familje, ndërkohë që sot kemi arritur të dërgojmë ndihmat e para me ushqime dhe pajisje, që plotësojnë nevojat bazike të qytetarëve”, ka thënë Tahiri.

Ministri i Brendshëm ka theksuar se, të gjitha strukturat dhe institucionet janë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me çdo situatë, e cila sipas tij mund të vazhdojë kështu nëse vazhdojnë reshjet e shiut.

“Ftoj qytetarët të mirëkuptojnë forcat e policisë kur shkojnë për t’i evakuuar. Forcave të emergjencave civile u është dashur të kthehen e rikthehen disa herë tek shtëpitë e banorëve që refuzonin evakuimin”, ka shtuar Tahiri.

Operacionet e shpëtimit në jug, evakuohen qindra familje

Që prej mëngjesit në qarqet e Vlorës dhe Fierit janë zhvendosur shumë familje. Në Fier, në komunën Levan, në fshatrat Ferras, Martinë, Bishan dhe Poro, forcat e ndërhyrjes emergjente evakuuan 110 familje.

Operacionet më të vështira kanë qënë në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”, ku vetëm pas mesnate u evakuuan 30 familje, 3 prej të cilave ishin vetëm gra me fëmijë, që kishin mbetur prej disa orësh mbi çatitë e banesave të tyre.

Shumë familje u evakuuan edhe nga fshatrat Kashishtë, Kaftarë dhe Sheqmusalala. Në fshatin Poro dhe në Darzezë e Re të komunës Dërmenas në rrethin e Fierit u angazhuan dy helikopterë të forcave ushtarake.

Në qarkun e Vlorës, në mesnatë u evakuuan 70 familje, të cilat rrezikoheshin nga përmbytja. Bëhet fjalë për familje në Novoselë, në fshatrat Mifol, Fitore, Bishan, Dëllëngë, Delishisht dhe Poro.

Drejtuesit e Komunës, për shkak të mundësisë për dalje nga shtrati i lumit Vjosë, evakuuan 40 familje nga banesat e tyre. Në komunën Novoselë u angazhuan njëitë e repartit “Delta Forcë” të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, policia rrugore ka bllokuar rrugën e vjetër Levan-Novoselë për shkak të ujërave sipërfaqësore që kanë arritur nivele të larta mbi asfalt. Rruga funksionale nga Fieri në Vlorë është vetëm autostrada e re Fier-Vlorë.

Top Channel