Kontrollet për naftën, 280 gjoba. Penalizimet 82 milionë lekë

02/02/2015 00:00

Inpektoriati Qendror Teknik ka gjobitur përgjatë vitit 2014 rreth 280
subjekte, prej të cilave 220 për mashtrim me cilësinë e karburantit që u
shesin konsumatorëve. Shuma e këtyre gjobave kap në total shifrën e
rreth 82 milionë lekëve.

Por ashtu sikurse në shumë institucione të tjera, kjo vlerë nuk arkëtohet për shkak të ngërcit që has në sistemin gjyqësor.

‘Për çdo kërkesë për urdhër ekzekutimi nga ana e gjykatës kërkohet të paraqitet një vërtetim sipas të cilit subjekti nuk ka bërë ankimim në gjykatë. Gjykata e shkallës së parë nuk na jep një vërtetim të tillë, pasi janë probleme që kanë dalë me ndarjen e gjykatës administrative më vete dhe na drejton tek ajo administrative, Gjykata Administrative nuk na kthen asnjë përgjigje dhe ky është problemi kryesor sepse në momentin që nuk kemi një vendim gjykate për bërjen e kësaj gjobe titull ekzekutiv nuk mund të veprojmë për të arkëtuar gjobat”, u shpreh Erina Rexhepi, drejtore e Shërbimeve të Brendshme në IQT.
 
Rexhepi thotë se krahas kësaj, institucioni ka të mbartur një shumë prej mbi 366 mln lekë që i përket mosarkëtimit të gjobave vendosur subjekteve abuzuese me cilësinë e karburantit nga viti 2000 në 2013-n.

“Mund të flasim me shifra, është një debi 366 lekë deri në 2013 kishim probleme me zyrat e përmbarimit kemi kërkuar të gjithë dokumentacionin mbrapsht”, tha Rexhepi.

Zonja Rexhepi thotë se po shqyrtohen kërkesat e Zyrave të reja të Përmbarimit, duke vendosur kushte në mënyrë që këto gjoba të arkëtohen sa më shpejt.

Top Channel