Interpelancë e Mustafës në Kuvend

02/02/2015 00:00

Kryeministri Kosovës Isa Mustafa ka pranuar që t’i përgjigjet kërkesës
së opozitës për interpelancë në Kuvend, ku do t’i kërkohet shkarkimi i
ministrit serb Aleksandër Jabllanoviç.

Megjithëkëtë Mustafa nuk ka pranuar që interpelanca të zhvillohet të martën, një ditë para protestës së radhës të ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Mustafa ka shprehur gatishmërinë që të jetë në Kuvend të enjten, një ditë pas protestës.

Partitë opozitare e fajësuan Mustafën për shtyrje të interpelanës, e cila sipas tyre mund të ndikonte në anulimin e protestës, nëse qeveria do të reflektonte për ta larguar Jabllanoviçin.

“Të enjten interpelanca do të jetë pikë e rendit të ditës. Mirëpo sipas rregullores kjo interpelancë është dashtë që të thirret nesër. Kryeministri të jetë nesër në Kuvend. Gjithsesi kjo do t’i binte 24 orë para protestave dhe nëse do të reflekton qeveria do të mund të prisnim edhe lëvizje të cilat do të parandalonin protestën”, u shpreh Donika Kadaj Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së.
 
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri e ka akuzuar kryeministrin Mustafa se nuk po ka guxim për t’u përballur me Serbinë dhe problemet reale në vend, pasi sipas tij, kryeminsitri të gjitha përgjigjet po i jep vetëm në rrjetin social Facebook.

“E ka shndërruar angazhimin institucional në angazhim të rrjeteve sociale. Pra është bërë një lloj kryeministri i rrjeteve sociale ose kryeministër social, por jo edhe kryeministër i vendit që zyrtarisht t’i drejtohet organeve të vendit dhe deputetëve të zgjedhur nga populli. Por çka është më me rëndësi ti drejtohet edhe popullit si burim i sovranitetit”, tha Ymeri.  
 
Që deklaratat e Jabllanovict kanë qenë fyese e deklaron edhe  shefi i grupit parlamentar të partisë  së Mustafës në kuvend.
 
“Sigurisht që edhe unë bëjë pjesë në grupin e atyre që në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë nuk e pranon ose e konsideron shumë të pa matur, të pa qëlluar, të pa drejtë, pse jo edhe fyese deklaratën e zotit Jabllanoviç”, u shpreh Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.   
Kryeparlamentari Kadri Veseli tha pas deklaratave të përfaqësuesve nga opozita, se seanca e së enjtes duhet t’i kontribuojë zgjidhjes së problemit që është bërë cështje kombëtare prej disa javësh në Kosovë.

Përveç interpelancës së kryeministrit Isa Mustafa në seancën e së enjtes pikë e rendit të ditës është edhe votimi i një rezolute e cila synon të nxisë qeverinë për marrjen e masave urgjente për të parandaluar migrimin e mijëra qytetarëve që po ikin jashtë shtetit.  

Top Channel