Bundesliga, Bayerni kërkon kthesën ndaj Schalkes, Wolfsburgu vazhdimësinë

02/02/2015 00:00

Kryesuesit e kampionatit gjerman, Bayern Munchen, do të përpiqen të rikthehen në rrugën e duhur për këtë pjesë të dytë të sezonit, teksa do të ndeshen me Schalke 04 të martën, pas humbjes shokuese me Wolfsburgun.

“Ujqit” e vendit të dytë shkurtuan diferencën me gjigantët bavarezë në 8 pikë, ditën e premte, kur Dost dhe De Bruyne shënuan secili nga një dygolësh, duke u shkaktuar bavarezëve humbjen më të thellë në kampionat prej 6 vitesh.

Schalke e Roberto di Matteos, e cila është ngjitur në vendin e katërt në renditje, do të kërkojnë fitoren e katërt në transfertë për kampionat, si dhe të parën në “Allianz Arena” të Munihut që prej vitit 2009.

Portieri i Bayernit Manuel Neuer, i lindur në Gelsenkirchen, do të shijojë kështu përballjen me ish-ekipin e vendlindjes. “Do të ishte edhe më keq, nëse do të duhej të prisnim 8 ditë për ndeshjen e ardhshme për kampionat”, tha ish-portieri i Schalkes. “Ndeshja me Wolfsburgun nuk ishte një nisje e mirë e fazës së dytë të sezonit për ne, apo ashtu siç e kishim menduar, sepse donim të ndodhte krejtësisht e kundërta. Nuk ishte një katastrofë, por e dimë që kemi ende shumë punë për të bërë përpara”.

Anësori holandez, Arjen Robben, tha se Bayerni i Pep Guardiolës duhet të kundërpërgjigjet, pas “thirrjes për zgjim” të lëshuar nga Wolfsburgu. “Duhet të marrim leksionet nga ajo humbje dhe të shpresojmë që nuk do të jenë të këqija për të ardhmen”, shtoi Robben.

Schalke do të luajë pa sulmuesin holandez, Klaas-Jan Huntelaar, kryegolashënuesi i sezonit të kaluar në Bundesliga, pasi u ndëshkua me të kuq gjatë sfidës së fundit, të fituar 1-0 me Hannoverin, për një ndërhyrje të rëndë me takë. “Klass sigurisht që është i mërzitur, është një fatkeqësi. Megjithatë do të shohim se si mund ta përballojmë këtë humbje”, tha Di Matteo.

“Ujqit” e vendit të dytë shpresojnë të aktivizojnë edhe Andre Schurrlen gjatë ndeshjes në transfertë të së martës, me Eintracht Frankfurtin, nëse arrijnë të nënshkruajnë me anësorin e Chelseat përpara mbylljes së merkator dimërore. Ëofslburgu ka ofruar një kontratë 4-vjeçare për Schurrle, në një transferim që kap vlerën e 30 milionë eurove.

Dortmundi i vendit të fundit do të synojë fitoren e parë pas 6 ndeshjesh, kur të udhëtojnë drejt Augsburgut të mërkurën. Vendasit janë ngjitur në vendin e pestë pas fitores 3-1 ndaj Hoffenheimit, ndërsa Borussia ka humbur 10 ndeshje në 18 javë të luajtura deri tani. Ekipi i Klopp mori një barazim me vlera ndaj Leverkusenit të shtunën, por janë vetëm 3 pikë larg mesit të tabelës së renditjes.

Top Channel