Rama e Tahiri inspektojnë zonat e përmbytura: Kompensim për dëmet e shkaktuara

02/02/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri panë nga terreni situatën e krijuar nga përmbytjen në jug të vendit.

Ata u takuan me shtabet e emergjencës rajonale dhe grupet e punës të cilët janë duke operuar në zonën e Novoselës, në rrethin e Vlorës. Rama vlerësoi gatishmërinë dhe parapërgatitjet për këtë situatë.

“Pa filluar tërbimi i motit, emergjenca civile ishte përgatitur dhe të gjitha strukturat përgjegjëse të shtetit, në nivel qendror dhe prefekturash, kanë qenë në detyrë dhe kanë shmangur çdo lloj dëmi në jetë njerëzish”, deklaroi Rama.

Përballë kësaj situate, kryeministri tha se është kërkuar edhe ndihmë nga jashtë vendit. “Kemi shumë shtëpi të përmbytura dhe të dëmtuara, ndaj do bëhet një raport i hollësishëm i dëmeve. Ndërkohë, kemi kontaktuar edhe me partnerët ndërkombëtarë për të vlerësuar mundësinë e një mbështetjeje në këtë aspekt”, tha Rama.

Levani, në rrethin e Fierit, ishte një tjetër zonë që rezulton tejet problematike, nga ku shefi i qeverisë u takua me forcat e policisë dhe zjarrfikëse të zonës, të cilëve u kërkoi përgatitje të mëtejshme për një situatë të rënduar nga moti në ditët në vijim. Kryeministri u angazhua për kompensime të fermerëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

“Do të fillojmë paralelisht me fazën që ka të bëjë me identifikimin dhe inventarizimin e të gjitha problemeve dhe dëmeve të ardhura si pasojë. Pastaj do të adresojmë problemet me shumë vendosmëri, në mënyrë që humbjet e mëdha, sidomos të fermerëve që kanë pësuar dëme në investimet e tyre, të kompensohen”, shtoi Rama.

Top Channel