Protesta antiqeveritare në Hungari, rritet zemërimi ndaj Orbanit

02/02/2015 00:00

Pakënaqësia ndaj qeverisë së djathtë të Viktor Orbanit ka nxjerrë me mijëra vetë në rrugët e Budapestit, pikërisht në ditën kur kryeqytetin hungarez e viziton Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Disa prej protestuesve patën një thirrje të drejtpërdrejtë për shefen e ekzekutivit gjerman. “Shpëtoni Hungarinë Frau Merkel” ishte apeli i tyre. Ndërsa në një pankartë të shkruar në gjermanisht thuhej: “Angela jonë, na shpëto nga e keqja, duam të mbetemi qytetarë të BE-së”.

3 deri në 4 mijë vetë u mblodhën përpara Parlamentit, me thirrjet drejtuar qeverisë së Orbanit për të respektuar lidhjet e saj me Perëndimin. Tubuesit valëvisnin flamuj të Bashkimit Europian dhe këmbëngulnin në pretendimet, që ekzekutivi i vendit të mbetet nën mbulesën e BE-së e të distancohet nga Rusia.

“Viktor, nuk duam të jemi baraka më e lumtur e Gazpromit dhe Rosatomit”, tha Balazs Gulyas, organizator i protestës.

Pavarësisht shumicës dërrmuese parlamentare, popullariteti i qeverisë së  Orbanit ka nisur të venitet. Nën drejtimin e tij, marrëdhëniet e Hungarisë me Bashkimin Europian janë ftohur ndjeshëm, e shkak për këtë janë pikërisht politikat e ndjekura prej kryeministrit, të cilat e kanë ndryshuar këtë shtet në kundërshtim me shumë vlera themelore të BE-së.

Të dëmtuara janë dhe marrëdhëniet mes Hungarisë e Gjermanisë, partneres më të madhe strategjike të saj. Në takimin me Viktor Orbanin, Merkel pritet që të mos e fshehë atë që mendon për zhvillimet e brendshme politike në vend, ndërsa tema e nxehtë e bisedës, me të gjithë gjasat, do të jenë sanksionet kundër Rusisë.

Dy javë pas Kancelares gjermane, Budapestin ka në plan ta vizitoje edhe shefi i Kremlinit, Vladimir Putin.

Top Channel