Gjermani, ligj të ri për emigracionin. Bavaria kërkon që Shqipëria e Kosova të quhen të sigurta

02/02/2015 00:00

Zërat që kërkojnë hartimin e një ligji të ri të emigracionit në Gjermani shtohen dita-ditës, në një kohë ndezjeje të debatit publik, mbi trajtimin e atyre që shkojnë në këtë vend për arsye ekonomike apo politike.

Ka mospërputhje qëndrimesh mbi këtë çështje në mesin e dy partive në pushtet, socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve. Të parët kërkojnë legalizimin e emigrantëve ekonomikë nëpërmjet një legjislacioni të posaçëm. Të dytët kundërshtojnë.

Konservatorët në qeverinë federale dhe në lande, thjesht kërkojnë zbatimin akoma më të rreptë të rregullave ekzistuese. Mbështetësit e idesë së një sistemi pikësh argumentojnë se një hap i tillë do ta rregullonte fluksin e të huajve. Më shumë pikë marrin të kualifikuarit për profesionet e kërkuara.

Socialdemokratët kanë idenë e tyre, edhe për sa i takon kufizimit kohor të lejeve të qëndrimit dhe të punës. Ai që kërkon të tërheqë fuqi të mira punëtore, duhet t’u ofrojë atyre perspektivën që të rrinë për një kohë të gjatë në Gjermani, këtë thonë përfaqësuesit e tyre.

Sipas “Deutsche Welle”-s, Bavaria po kërkon sakaq zgjerimin e listës së shteteve të sigurta edhe me Shqipërinë e Kosovën. Kuota e pranimit të azilkërkuesve nga këto vende “është gati zero, meqenëse kërkesat për azil nga këto vende kanë kryesisht motive ekonomike”, thonë zyrtarë vendas.

Më herët, edhe ministri i Brendshem federal, Thomas de Maiziere, e ka kërkuar përfshirjen e vendit tonë në këtë listë, por ideja e hedhur prej tij në fillim të vitit hasi në kundërshtime të mëdha.

Top Channel