Në njërën dorë shkumësin, në tjetrën armën. Bashkëjetesa e mësuesve pakistanezë me kërcënimin

02/02/2015 00:00

Pas masakrës në Akademinë Ushtarake të Peshavarit, mësuesit pakistanezë nuk shohin zgjidhje tjetër për të mbrojtur nxënësit e tyre, përveç asaj më ekstremes: të mbajnë armë në shkollë.

Në njërën dorë shkumësin, në tjetrën një pistoletë të mbushur…

Abdul Saeed ka 15 vjet që jep mësim, thotë CNN, por asnjëherë më parë nuk është vënë përpara një situate të tillë. Ndihet i detyruar ta marrë armën me vete, kur hyn në klasë. Fëmijët janë ende të tmerruar, nga ajo çfarë panë 16 dhjetorin e 2014-s në shkollën publike ushtarake të këtij qyteti, kur militantët talebanë mësynë ndërtesën e vranë me dhjetëra nxënës, përgjatë sulmit të zgjatur plot 6 orë.

“Sa herë dëgjojnë një zhurmë në korridor, shohin me llahtar nga dera, – rrëfen mësuesi për gjigantin televiziv amerikan. – Si mund të presësh të përqëndrohen në atë çfarë thuhet në klasë?”.

Telat me gjemba, kamerat e sigurisë e snajperët nëpër çati, janë kthyer në diçka të zakontë për shkollat e Peshavarit. Institucionet arsimore private në provincen Khyber Pakhtunkua, përgjatë kufirit verior të vendit, janë udhëzuar nga qeveria që të shtojnë numrin e rojeve të sigurisë e të vendosin detektorë metalesh.

Zyrtarët vendas qëndrojnë gojëkyçur, kur pyeten për kërcënimet e marra nga militantët, megjithatë ka raporte se drejtuesve të shkollave në këtë zonë u janë dërguar arkëmorte bosh, një shenjë ogurzezë kjo e rrezikut, me të cilin përballen.

Pas sulmit brutal të dhjetorit, ku humbën jetën 145 vetë, shumica të mitur, zëdhënësi i talebanëve pakistanezë i tha CNN-it se gjakderdhja ne akademi ishte shpagim për vrasjen e qindra civilëve të pafajshëm gjatë operacioneve ushtarake në Kiber, në Uaziristanin verior dhe në atë jugor.

Top Channel