KESH: Situata në Drin, nën kontroll. Niveli i Fierzës 290m

02/02/2015 00:00

Ndonëse jugu i vendit po përballet me përmbytje masive të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve, Koorporata Elektro-energjitike Shqiptare njofton se gjendja në kasakaden e Drinit është nën kontroll.

Duke marrë shkas nga reshjet masive, këtë të hënë në KESH është mbledhur sekretariati teknik i komisonit të posaçëm të digave. Pasi ka analizuar situatën, përmes një njoftimi zyrtar sekretariati ka deklaruar se gjendja në kaskadë paraqitet nën kontroll dhe pa probleme.

Sipas të dhënave më të fundit, niveli i ujit në liqenin e Fierzës ndodhet në 290.24 metër mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet aktuale janë 800 metër kub ujë në sekond.

Ndonëse pika maksimale e Fierzës është 296 metra, sekretariati ka vendosur që kuota e ujit në këtë liqen të ruhet rreth nivelit 290 deri në 291 metër dhe për këtë ka kërkuar nga KESH të prodhojë energji me kapacitetin maksimal në të gjithë kaskadën e Drinit.

Sipas njoftimit, sasia e energjisë që do të teprojë mbi konsumin vendas do të shitet për eksport ose tek bizneset e mëdha në vend, të cilat nuk marrin energji me çmim të rregulluar.

KESH thotë se aktualisht është duke finalizuar një proçedurë shitjeje në tregun e parregulluar për energjinë e tepërt dhe sapo të mbyllen proçedurat do të fillojë prodhimin me kapacitet maksimal në kaskadë.

Top Channel