Ukrainë, rebelët do rekrutojnë 100 mijë luftëtarë

02/02/2015 00:00

Lideri i separatistëve pro-rusë, Alexander Zakharchenko ka njoftuar planin për të rekrutuar 100 mijë luftëtarë të rinj, teksa luftimet me trupat ukrainase sa vijnë e intensifikohen.

Disa dhjetëra persona, përfshirë këtu edhe civilë, mbetën të vrarë në luftimet me artilieri të rëndë gjatë fundjavës. Përpjekjet për të arritur një armëpushim dështuan kur negociatorët e rebelëve nuk u shfaqën në takimin e planifikuar.

Armëpushimi i brishtë i shtatorit të kaluar në Minsk të Biellorusisë u zhbë tërësisht muajin e kaluar kur rebelët avancuan ofensivën e tyre ndaj vendndodhjeve të ushtarëve ukrainas dhe morën nën kontroll aeroportin e Donetskut.

Rebelët u akuzuan për kryerjen e sulmeve me armë të rënda në qytetin-port në jug-lindje të Ukrainës, Mariupol, ku mbetën të vrarë 30 civilë.

Nga ana tjetër, forcat qeveritare ukrainase janë fajësuar për sulmet në Donetsk dhe zona të tjera me prani rebele muajin e kaluar, kur disa dhjetëra civilë mbetën të vrarë.

“Mobilizimi do të fillojë brenda 11 ditësh”, deklaroi Zakharchenko, drejtues i të vetëshpallurës Republika Popullore e Donetskut. Sidoqoftë, mundësitë e rebelëve për të zgjeruar në numër radhët e tyre janë të dyshimta.

Christopher Miller, një gazetar që ndjek ngjarjet pranë lokalitetit Debaltseve, tha për BBC se mendon se ka pak gjasa që rebelët të mund të rekrutojnë 100 mijë persona.

Sipas reporterit, ka më shumë të ngjarë që liderët e rebelëve të përpiqen të përdorin këtë njoftim si një thirrje për të tërhequr më shumë vullnetarë rusë.

Autoritetet në Ukrainë dyshojnë se rebelët po ndihmohen nga rreth 9 mijë ushtarë rusë, një deklaratë të cilën qeveria e Moskës e mohon.

Top Channel