Presidencialet e FIFA-s, kontroll integritetit të 4 kandidatëve

02/02/2015 00:00

Federatat anëtare të FIFA-s kanë propozuar 4 kandidatë për zgjedhjet presidenciale, që do të zhvillohen më 29 maj në Zyrih. Tashmë, Komiteti Elektoral Ad-hoc do të vlerësojë kandidatët e propozuar, të cilët janë Joseph S. Blatter, Princi Ali Bin Al Hussein, Luis Figo dhe Michael van Praag.

Në njoftimin e publikuar edhe në faqen zyrtare të trupës më të lartë qeverisëse të futbollit, shpjegohet se në përputhje me artikullin 8, paragrafi 1 (e) të Rregullatorit Elektoral, Komiteti Elektoral ka kaluar dosjet e kandidatëve në dhomën e investigimeve të Komitetit të pavarur të Etikës, për të zhvilluar kontrollet ndaj integritetit të tyre brenda 10 ditëve, siç përcaktohet në rregullore.

Me t’u marrë rezultatet e kontrolleve të integritetit, Komiteti Elektoral do të ndërhyjë sërish për të rishikuar të gjitha dosjet e tyre dhe për të verifikuar përputhshmërinë e tyre me dispozitat rregulluese të aplikuara nga FIFA.

Në ndjekje të këtij procesi, Komiteti Elektoral do të pranojë formalisht dhe do të deklarojë gjithashtu zyrtarisht kandidatët që janë të ligjshëm për të garuar për postin e presidentit të FIFA-s.

Top Channel