Itali, Berlusconi 45 ditë më pak shërbim ndaj komunitetit, i hiqen disa kufizime

02/02/2015 00:00

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ka marrë një vendim gjatë së hënës, i cili i mundëson atij të përfundojë dënimin për evazion fiskal të konvertuar në shërbim ndaj komunitetit 45 ditë më herët, kjo për shkak të sjelljes së mirë. Ky vendim do ta çlirojë atë nga çdo detyrim në fillim të muajit të ardhshëm.

Vitin e kaluar, manjatit 78-vjeçar mediatik iu dha një dënim prej 4 vitesh burgim të konvertuar në një urdhër për të kaluar 4 orë në javë, për një vit me radhë, në qendrën e pacientëve me Alcajmer, si dhe iu ndaluan aktivitetet politike, por edhe lëvizja përtej vendit.

Peticioni i Berlusconit për të reduktuar dënimin u dorëzua muajin e kaluar dhe u miratua të hënën nga gjykatësja e Milanos, Beatrice Crosti, pavarësisht kundërshtimit të prokurorëve, bënë të ditur burime ligjore.

Nga 8 marsi, katër herë kryeministri i Italisë, ende politikani më influencues në skenën politike italiane, do të marrë mbrapsht pasaportën e tij dhe nuk do të ketë më asnjë kufizim të lëvizshmërisë jashtë Italisë.

Dënimi i vjetshëm i kushtoi Berlusconit vendin e tij në Senat, si dhe i ndalon atij të garojë në zgjedhje për 6 vite, kufizime që ende po luftohen prej tij për t’u hequr tërësisht. Ai ka apeluar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, teksa shpreson edhe për lehtësime ligjore prej legjislativit të kontrolluar nga kryeministri Matteo Renzi, me të cilin ka punuar ngushtësisht për të hartuar reformat elektorale dhe kushtetuese.

Një stuhi politike shpërtheu gjatë muajit të kaluar, kur media italiane zbuloi amendimin e minutës së fundit qeveritar ndaj një projektligji për taksat, që do të dekriminalizonte mashtrimin në bilancin financiar për çdo shumë nën 3% të fitimeve vjetore të një kompanie.

Amendimi do të shfuqizonte dënimin e Berlusconit, gjë që nënkuptonte se ai mund të rikthehej edhe njëherë të synonte pushtetin qendror, ligjërisht. Renzi u tërhoq pas një proteste të shumicës së partisë së tij të qendrës së majtë, Partia Demokratike, dhe në vend që të hiqte vetëm amendamentin, “ngriu” të gjithë projektligjin dhe tha se do ta rishikonte sërish në fund të këtij muaji.

Top Channel