Mustafa: Së shpejti shkarkimi i Jabllanoviç

02/02/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta largojë nga kabineti qeveritar ministrin serb Aleksandar Jabllanoviç.

Sipas Mustafës, qëndrimi i mëtejshëm i Jabllanoviç në postin e ministrit, pas deklaratave të bëra, nuk do t’i bënte mirë as vetë atij.

“Kjo çështje është stërzmadhuar dhe politizuar shumë nga partitë politike për qëllimet e tyre të caktuara”, deklaroi Mustafa gjatë një vizite në komunën e Rahovecit.

“Por, pasi protestat dy herë janë përshkallëzuar dhe qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, kjo nuk do të ndikojë mirë as në raportet ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb dhe për rrjedhojë qëndrimi në ministri nuk do t’i bënte mirë as ministrit Jabllanoviç”, tha Mustafa.

Pavarësisht paralajmërimit, Mustafa refuzoi të fliste për kohën e saktë kur mund të ndodhë largimi i Jabllanoviç. “Do të ketë shumë shpejt ndryshime, pasi me deklaratën e tij janë fyer nënat gjakovare dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, shtoi Mustafa.

Top Channel