Obama propozon buxhetin 3,99 trilionë USD për vitin e ri fiskal

02/02/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama propozoi këtë të hënë një buxhet prej 3,99 trilionë dollarë për vitin fiskal 2016, duke krijuar edhe terrenin e përshtatshëm për betejë me republikanët, mbi programet nxitëse ndaj shtresës së mesme, që detyrohen të paguajnë taksa më të mëdha krahasuar me koorporatat dhe amerikanët e pasur.

Buxheti parashikon një defiçit prej 474 miliardë dollarë, thuajse sa 2,5 përqind e produktit të brendshëm bruto të Shteteve të Bashkuara. Ai projekton gjithashtu stabilizimin e defiçiteve përgjatë një periudhe 10-vjeçare, bënë të ditur zyrtarë të lartë të administratës.

Buxheti i Obamës i bën jehonë propozimeve të tij të bëra gjatë adresimit përpara kombit “State of the Union”, nënvizon prioritetet demokratike për 1/4-tën e fundit të presidencës së tij, si dhe nisjen e fushatës presidenciale të vitit 2016.

Por, ai është gjithashtu një dokument po aq politik, sa edhe një udhërrëfyes fiskal, i cili do të kërkojë miratimin nga Kongresi i kontrolluar prej republikanëve për të hyrë në fuqi.

“Shpresa jonë është që përmes shpalosjes së vizionit të qartë ekonomik, me në qendër klasën e mesme dhe rritjen ekonomike, ne të mund të kemi një bashkëbisedim produktiv me republikanët, si dhe të bëjmë progres përgjatë vitit”, tha një zyrtar i administratës, i cili parashikonte edhe publikimin e buxhetit gjatë së dielës.

Republikanët kanë thënë se shohin ende vend për kompromis në disa fusha, si reforma e taksave dhe infrastruktura, por shumica e programeve të Obamës, të cilat ishin mbështjellë vetëm pak javë përpara këtij publikimi, kanë zbarkuar tashmë me një zhurmë disi të mbytur.

“Duke u kushtuar kohën dhe energjinë e tij bisedimeve në lidhje me politikat e reja të taksave dhe shpenzimeve, të cilat progresivistët – siç janë edhe republikanët – i kundërshtojnë universalisht, ai kërkon t’i japë një tjetër sinjal Kongresit se kërkon më shumë të argumentojë zgjedhjet e tij, sesa thjesht të nxjerrë ligje”, tha Keith Hennessey, një ish-këshilltar ekonomik i Presidentit republikan, George Ë. Bush.

Demokratët, gjithsesi, e shohin buxhetin si një deklaratë të prioriteteve të tyre dhe një shans për të demonstruar se ata përfaqësojnë partinë që mbron amerikanët me të ardhura të mesme.

“Buxheti i jep atij një mundësi për të theksuar vizionin e tij në ndihmë të klasës së mesme, ndërkohë që sjellja e Kongresit republikan kërkon të rëndojë pabarazinë, të injorojë këtë shtresë sociale, si dhe ta bëjë barrën ndaj atyre që duan të bëhen pjesë e klasës së mesme edhe më të rëndë”, tha Neera Tanden, presidente e Qendrës për Progresin Amerikan, e cila ka lidhje shumë të ngushta me Shtëpinë e Bardhë.

*** Buxheti i publikuar këtë të hënë arrin një reduktim prej 1.8 trilionë dollarë të defiçitit përgjatë 10 viteve të ardhshme, thonë zyrtarët, përmes reformave të kujdesit shëndetësor, taksave dhe emigracionit, por parashikon edhe mbështetjen e republikanëve ndaj programeve të Obamës, gjë që zor se do të ndodhë.

Republikanët kanë bllokuar ligjin për reformën e emigracionit në Dhomën e Përfaqësuesve, për shembull, ndërkohë që buxheti parashikon miratimin e një ligji të tillë.

Administrata parashikon gjithashtu vazhdimësi në rënien e papunësisë, duke shkuar në një normë prej 5,4 përqind gjatë vitit 2015, ndërkohë që aktualisht është 5,6 përqind.

Buxheti propozon gjithashtu një infrastrukturë të re bankare, një rritje prej 6 përqind në kërkimet shkencore dhe zhvillimet, si dhe një konsolidim kontrovers të agjencive qeveritare amerikane. Obama ka propozuar më herët kombinimin e agjencive të tregtisë, por propozimi ka ngecur dhe s’ka gjetur mbështetje.

Ai lë mënjanë gjithashtu rreth 14 miliardë dollarë për të forcuar mbrojtjen kibernetike amerikane, pas disa rasteve të sulmeve të profilit të lartë.

Në të bëhet thirrje për një taksë të përhershme prej 14% ndaj përfitimeve të përllogaritura në 2,1 trilionë dollarë të grumbulluara jashtë vendit, nga kompani si “General Electric” dhe “Microsoft”, ndërsa duhet të vendoset edhe një taksë prej 19% për fitimet e huaja në të ardhmen prej kompanive amerikane.

Propozohet gjithashtu një rritje prej 7% e shpenzimeve të brendshme dhe ushtarake amerikane, duke i dhënë fund kapitujve të “sekuestros” me reforma për heqjen e programeve të sigurimit dhe duke mbyllur zbrazëtitë tatimore, si ajo ndaj “interesit të mbajtur”. Këto fonde do të mund të ndihmojnë të financohen më shumë investime në infrastrukturë dhe edukim.

Buxheti do të reformojë gjithashtu regullat për fondet qeverisëse të mirëbesimit dhe do të rrisë fitimet e përgjithshme dhe normat e dividentëve në 28 përqind, nga 23,8 që është aktualisht. Sa i përket politikës së jashtme, buxheti financon përpjekjet për të mposhtur militantët e Shtetit Islamik dhe për të mbështetur NATO-n dhe aleatët europianë kundër agresionit rus, thotë Shtëpia e Bardhë.

Top Channel