Hijet e trukimit në Superiore, Etika dëgjon por merr kohë për të vendosur

02/02/2015 00:00

Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur sërish gjatë mesditës së të hënës, për të shqyrtuar dhe mbledhur informacionet e mundshme në lidhje me ndeshjet e përfolura si të trukuara, të javës së 19 të Kategorisë Superiore: Flamurtari-Teuta, Vllaznia-Kukësi dhe Laçi-Partizani.

Vetëm një javë më parë, Etika në FSHF kishte vendosur të mos dilte në konkluzione, por të merreshin në pyetje të gjithë anëtarët e 6 klubeve të Superiores, të cilët u përfshinë në thashetheme dhe akuza të ndërsjellta për trukim të ndeshjeve.

Mesditën e sotme janë shqyrtuar materialet për takimin e Vlorës, mes Flamurtarit dhe Teutës; për të cilin edhe Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet kryesisht, pa marrë ndonjë kallëzim nga palët e përfshira në këtë ndeshje; ndërkohë që para komisionit janë paraqitur edhe zyrtarët e ndeshjes në fjalë, përfshi arbitrin Kridens Meta, si dhe drejtuesit e Flamurtarit, presidenti Sinan Idrizi e drejtori teknik Ardi Behari, të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre për ato minuta të fundit të sfidës së Vlorës.

Duke qenë se volumi i materialeve që duhen shqyrtuar është tejet i madh, Komisioni i Etikës mori kohë për shqyrtimin dhe njoftoi për një tjetër mbledhje, të mërkurën më 4 shkurt, ora 14:00. Në të njëjtën ditë do të thirren edhe dëshmitarë të tjerë, në lidhje me ndeshjet Vllaznia-Kukësi e Laçi-Partizani.

Kujtojmë se menjëherë pas ndeshjes, ishin drejtuesit e klubit vlonjat, ata që edhe pse fituan në fushë ndaj Teutës, akuzuan durrsakët për trukim të rezultatit. Por, në një tjetër reagim, presidenti i Teutës ka thënë se “gabimet e ndodhura në minutat e fundit erdhën si pasojë e dëshirës për ta fituar ndeshjen”.

Top Channel