Akuzat kundër liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, për spiunazh dhe tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë, të ngritura nga Ministria e Brendshme dhe kryeministri Nikolla Gruevski, rrezikojnë të thellojnë krizën politike dhe të lëkundin stabilitetin e Maqedonisë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav takoi të hënën në selinë e LSDM-së drejtuesin e kësaj partie, zotin Zaev, për t’u informuar drejtpërdrejt mbi zhvillimet e fundit.

“Erdha këtu të takohem me liderin e opozitës, Zoran Zaev dhe me kolegët e tij. Ai më informoi për gjithçka që ka ndodhur gjatë fundjavës. Ky është një rast potencial në të cilin është përfshirë edhe kryeministri dhe lideri i opozitës së këtij vendi dhe duke pasur parasysh profilin e lartë të këtij rasti dhe faktin se ky vend është aspirant për në BE, ne po e ndjekim me vëmendje të lartë atë”, deklaroi Orav.

Lideri opozitar Zoran Zaev prej disa muajsh me radhë paralajmëron posedimin e shumë dëshmive për ato që ai i quan “veprimet kriminale të qeverisë”.

Por, edhe pse akoma nuk ka publikuar asnjë prej tyre, kryeministri Nikolla Gruevski ditë më parë e ka akuzuar rivalin e tij politik se ka tentuar të organizojë puç shtetëror përmes aferave që ka siguruar nga shërbimet e huaja sekrete.

Gruevski ka thënë se kundërshtari i tij i ka kërkuar formimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, duke e kërcënuar atë me publikimin e aferave që posedon, një pjesë të cilave sipas kryeministrit janë të vërteta.

Por, drejtuesi i opozitës Zoran Zaev ka hedhur poshtë këto akuza duke thënë se, aferat për pushtetin aktual i ka marrë nga qytetarët e Maqedonisë, që punojnë në shërbimet e vendit dhe se të njëjtat do t’i publikojë pavarësisht kërcënimeve nga pushteti.

Top Channel