Nusja: Ja përse më dhunonte vjehrra dhe kunata

02/02/2015 00:00

Pasdite në Top Channel solli vetëm një javë më parë, një rast të ngjashëm të ushtrimit të dhunës ndaj nuses së shtëpisë, jo nga bashkëshorti, por nga vjehrri dhe kunati i saj. Ndërsa këtë të hënë, një tjetër nuse e dhunuar është marrë në intervistë, gjatë së cilës ka rrëfyer shkaqet përse e kishin dhunuar vjehrra dhe kunata.

TCH: Ju jeni e divorcuar dhe shkak për këtë, ndër të tjera, është bërë dhuna sistematike ushtruar ndaj jush jo vetëm nga bashkëshorti, por edhe nga ana e familjarëve të tij. Përse ndodhnin këto situata?

Nusja e dhunuar: Bëheshin shumë gjëra shkak, sepse ekziston ende mentaliteti i dikurshëm për zgjimin herët të nuses, për përfundimin e gjithë punëve të shtëpisë, duhet të gatuajë, të bëjë kafen e të lajë këmbët, e shumë gjëra të tilla. Isha shumë e lodhur gjatë natës, sepse jam me një fëmijë të vogël që qante. Mundesha që edhe të vonohesha, ose të mos ngrihesha shpejt nga gjumi, gjë që ata e konsideronin sikur mua s’më interesonte fakti që kisha familje. Kunata bëhej xheloze edhe po të rrija afër ish-bashkëshortit, sepse sipas saj burri dhe gruaja nuk duhet të rrinë pranë njëri-tjetrit, kur ka edhe njerëz të tjerë familjarë.

TCH: Kunata është e martuar?

Nusja e dhunuar: Ajo ishte e divorcuar dhe kishte një vajzë, të cilën e mbante në shtëpi dhe jetonte me ne.

TCH: Kanë ushtruar ato mbi ty edhe dhunë fizike?

Nusja e dhunuar: Psikologjikisht shumë, ndërsa fizikisht ka ndodhur vetëm kur u përballëm në gjykatë, e donin të më rrihnin për arsye, që unë të zhdukesha dhe të mos u kërkoja më fëmijën.

TCH: Pra ka ndodhur, që ato të ushtrojnë dhunë mbi ju edhe në ambientet e gjykatës… Çfarë mase u mor ndaj tyre?

Nusja e dhunuar: Asgjë, unë isha vetëm, por nuk është se më dolën papritur. Në ndihmë më erdhi psikologia, më ndau nga ata, vajtëm në polici dhe bëmë një denoncim, më morën në pyetje si zakonisht, por nuk di të jetë marrë gjë tjetër. Kërkova një urdhër mbrojtjeje, për këto gjëra që më kishin ndodhur, por nuk m’u dha. Kërkesa ime nuk u mor në konsideratë.

TCH: Si reagonte bashkëshorti juaj dhe çfarë qëndrimi mbante, kur nëna dhe motra e tij të keqtrajtonin?

Nusja e dhunuar: Asgjë, thjesht mund t’u fliste. Niste një debat tërësisht familjar, të cilit unë i shmangesha për vetë tipin tim. Nuk doja të lodhja trurin dhe të stresoja veten për diçka, që për mua ishte e pavlerë, ndërsa atyre mund t’u dukej sikur kishte ndodhur hataja.

TCH: Ju i përkisni njërit prej atyre shumë rasteve të dhunuara nga familjarët e bashkëshortit. Ke ndonjë apel për të bërë ndaj të gjithë atyre njerëzve, që ndoshta nuk kanë guxuar por në mendje u shkon, që të ngrejnë dorë mbi nusen e shtëpisë?

Nusja e dhunuar: Thjesht dua t’i them mjaft mentalitetit të vjetër dhe këtyre ngjarjeve. Më mirë t’i marrin gjërat me gjakftohtësi dhe t’i mendojnë me logjikë. Madje është më mirë që të përgjigjet burri i nuses për gjithçka, çfarëdolloj njeriu qoftë ajo, e të mos ndërhyjnë. Sepse femra që është bërë nuse, ka marrë një mashkull që t’i përgjigjet për gjithçka.

Top Channel