Itali, zbulohet rrjeti ndërkombëtar i drogës; 11 të arrestuar, 5 në kërkim

02/02/2015 00:00

Policia e Katanias, në Siçili, ka zbuluar një rrjet ndërkombëtar trafikimi drogash të llojeve të ndryshme, të sjella nga Shqipëria. Gjithësej janë arrestuar 11 persona, ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim; mes tyre edhe anëtarë të disa familjeve mafioze siçiliane, si ajo e njohur e Santapaolas.

Nga hetimet, të cilat kanë nisur që në vitin 2013, është zbuluar se në bashkëpunim më një grup shqiptarësh janë sjellë në Itali sasi të mëdha drogash, duke përdorur për transport peshkarexhat italiane. Ndërsa nëpërmjet një linje autobusësh, nga Italia mbërrinin në Shqipëri paratë e drogës.

Me sa bëhet e ditur, hetimet janë përqëndruar në portin e Durrësit, nga ku niseshin peshkarexhat me marijuanë, duke ndjekur rrugë detare që preknin dhe Greqinë. Nga Shqipëria duket se vinin edhe skedat telefonike të reja, që përdoreshin për periudha të shkurtëra për komunikimin mes anëtarëve të organizatës.

Llogaritet që në Itali janë sjellë mbi katër ton droga të ndryshme në këtë mënyrë, me fitime rreth 16-18 milionë euro. Akuza për anëtarët e organizatës është jo vetëm trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, por rëndohet për bashkëpunim me mafjen.

Top Channel